Rusia tha sot se ka kryer një ekzaminim teknik special mbi një sulm të dyshuar ukrainas me dronë ndaj rezidencës së presidentit Vladimir Putin në rajonin Novgorod dhe planifikon ta paraqesë rezultatin në SHBA-në, transmeton Anadolu.
Ministria e Mbrojtjes tha në një deklaratë se informacioni mbi objektivin e sulmit është marrë nga një pajisje memorieje e njërit prej dronëve të përfshirë në sulm.
“Gjatë ekzaminimit teknik special të bllokut të sistemit të navigimit të njërit prej dronëve ukrainas, i cili u godit natën e 29 dhjetorit 2025 në hapësirën ajrore të rajonit Novgorod, shërbimet speciale ruse arritën të nxjerrin një skedar me detyra fluturimi të ngarkuar në memorien e tij”, thuhet në deklaratë.
Dekodimi i të dhënave të itinerarit tregoi se “objektivi përfundimtar i sulmit të Ukrainës me dronë më 29 dhjetor 2025 ishte një nga objektet e rezidencës së presidentit rus në rajonin Novgorod”, shtoi ministria.
“Këto materiale do t’i dërgohen palës amerikane përmes kanaleve të vendosura”, theksohet më tej.
Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha të hënën se Kievi kreu sulmin duke përdorur 91 dronë ndaj rezidencës shtetërore të Putinit në Novgorod natën e 29 dhjetorit. Sipas tij, të gjithë dronët u shkatërruan dhe nuk pati viktima apo dëme nga mbeturinat.
Ukraina ka mohuar se ka kryer sulmin dhe e ka akuzuar Moskën se po pengon bisedimet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare.
Duke komentuar incidentin, presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk i pëlqeu kjo ngjarje dhe se “nuk është e mirë”.
