Rusia organizon takimin e zyrtarëve talebanë me kombet fqinje për Afganistanin

Zyrtarë të lartë të talebanëve dhe kombeve fqinje nisën bisedimet të mërkurën mbi Afganistanin në një tryezë të organizuar në Moskë nga autoritetet ruse.

Ky është një raund i diplomacisë që nënvizon ndikimin e Moskës në Azinë Qendrore.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov hapi bisedimet dhe theksoi se “formimi i një qeverie vërtet gjithëpërfshirëse që reflekton plotësisht interesat jo vetëm të të gjitha grupeve etnike, por të të gjitha forcave politike të vendit” është i nevojshëm për të arritur një paqe të qëndrueshme në Afganistan, një komb prej 39 milionë banorësh.

Rusia ka punuar për vite të tëra për të vendosur kontakte me talebanët, edhe pse e cilësoi grupin një organizatë terroriste në vitin 2003 dhe nuk e hoqi kurrë nga lista.

Çdo kontakt me grupe të tilla është i dënueshëm sipas ligjit rus, por Ministria e Jashtme i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me kontradiktën e dukshme duke thënë se shkëmbimet e saj me talebanët janë thelbësore për të ndihmuar në stabilizimin e Afganistanit.

Ndryshe nga shumë vende të tjera, Rusia nuk e ka evakuuar ambasadën e saj në Kabul dhe ambasadori i saj ka mbajtur kontakte të rregullta me talebanët që kur ata morën kontrollin e vendit në gusht. /euronews