“Në përgjithësi, detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit janë përfunduar”, tha Sergey Rudskoy, një zyrtar i lartë ushtarak rus
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendon se rreth 14.000 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 16.000 të tjerë janë plagosur që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sergey Rudskoy, një zyrtar i lartë ushtarak rus, në një konferencë për media në Moskë tha se Forcat e Armatosura Ruse fituan dominimin ajror dhe bllokuan qytetet: Kiev, Kharkiv, Chernihiv, Sumy dhe Mykolaiv, si dhe Kherson dhe pjesën më të madhe të rajonit Zaporizhzhia.
Forca ajrore e Ukrainës dhe sistemi i mbrojtjes ajrore janë “pothuajse plotësisht të shkatërruara” dhe marina e vendit pushoi së ekzistuari, pretendoi Rudskoy.
Ai gjithashtu tha se16 aeroportet ushtarake të Ukrainës, si dhe 39 depo të municioneve, ku ishin ruajtur 70 për qind e të gjitha pajisjeve ushtarake, u goditën.
“Ushtrisë ukrainase nuk i ka mbetur asnjë rezervë e organizuar”, pohoi ai, duke shtuar se njerëzit dhe njësitë e mbrojtjes territoriale po mobilizohen për të luftuar trupat ruse.
Sipas tij, “6.595 mercenarë nga 62 shtete” po luftojnë për palën ukrainase.
Rudskoy pretendoi se forcat e armatosura ruse shkatërruan 1.587 nga gjithsej 2.416 tanke dhe automjete të tjera të blinduara ukrainase, 112 nga 152 avionë luftarakë, 75 nga 149 helikopterë, 148 nga gjithsej 180 sisteme S-300 dhe sisteme të mbrojtjes ajrore Buk M1, dhe 117 nga 30 radarë.
Ai paralajmëroi se “ushtria ruse do t’i përgjigjet menjëherë në mënyrë të përshtatshme përpjekjeve për të mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë”.
Ai tha se ushtria ruse nuk synon objektet e infrastrukturës civile të Ukrainës, duke pretenduar se 127 ura, të shkatërruara në zonën e luftës, u shkatërruan nga “nacionalistët ukrainas” për të penguar ofensivën.
Duke iu referuar humbjeve ruse, Rudskoy tha se 1.351 trupa ruse u vranë dhe 3.825 u plagosën.
Ai tha se Rusia merr aplikime nga jashtë nga njerëz që duan të luftojnë për palën ruse. Në total, ai pohoi se mbi 23.000 të huaj nga 37 vende u interesuan për një mundësi të tillë.
“Në përgjithësi, detyrat kryesore të fazës së parë të operacionit janë përfunduar. Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është zvogëluar ndjeshëm, gjë që na lejon të përqendrohemi në arritjen e qëllimit kryesor – çlirimin e Donbasit”, tha Rudskoy.
“Formacionet nacionaliste, si Azov, Aidar, Sektori i Djathtë, u bënë forcat goditëse të regjimit të Kievit,” shtoi ai.
Rusia e filloi luftën e saj më 24 shkurt. Kjo ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa mes tjerash, BE, SHBA dhe Britania e Madhe, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 1.081 civilë janë vrarë në Ukrainë dhe 1.707 janë plagosur, ndërsa paralajmërohet se shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 3,7 milionë ukrainas kanë ikur gjithashtu në vendet fqinje, me mbi 6,5 milionë të tjerë të zhvendosur brenda vendit.
Ndërkohë, sipas njoftimit të djeshëm të ushtrisë ukrainase, rreth 15.800 ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës. /aa
