Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sa është shifra e dëmeve që SHBA-të dhe Izraeli i shkaktuan Iranit?

Sa është shifra e dëmeve që SHBA-të dhe Izraeli i shkaktuan Iranit?

Teherani kërkon tashmë një dëmshpërblim nga ata që e sulmuan

Pas vetëm 40 ditësh lufte midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, Teherani ka dalë me humbje të mëdha dhe dëme të gjera në infrastrukturën e tij kritike civile. Shumë iranianë kanë humbur vendet e tyre të punës, ndërsa fabrikat, termocentralet, aeroportet dhe urat janë shkatërruar.

Irani ka pësuar humbje të mëdha ekonomike të vlerësuara në 140-145 miliardë dollarë, raportoi të premten televizioni Al Arabiya, duke cituar të përditshmen izraelite Jerusalem Post.

Ndërkohë, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, Pirhossein Kolivand, tha se 125,630 objekte jo-ushtarake u dëmtuan gjatë luftës. Kjo përfshin rreth 100,000 njësi banimi, disa të shkatërruara plotësisht dhe të tjera të dëmtuara pjesërisht, si dhe rreth 23,500 njësi tregtare. Ai shtoi se 339 objekte mjekësore u dëmtuan gjithashtu – duke përfshirë spitale, farmaci, laboratorë, qendra shëndetësore dhe njësi urgjence.

Kolivand foli gjithashtu për sulmet ndaj qendrave të trajtimit, duke shpjeguar se sulmet me raketa dëmtuan Kompleksin e Rehabilitimit të Gjysmëhënës së Kuqe që ndodhet pranë Spitalit Khatam. Ai tha se disa objekte aty pranë pësuan dëme të konsiderueshme.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane tha se 32 universitete u dëmtuan, ndërsa rreth 857 shkolla dhe qendra arsimore u prekën. Ai shtoi se 20 objekte të Gjysmëhënës së Kuqe u goditën drejtpërdrejt.

Sa i përket dëmeve në infrastrukturë, Kolivand tha se rreth 15 vende kyçe të infrastrukturës u prekën, së bashku me pesë depo karburanti. Aeroportet dhe avionët civilë u dëmtuan gjithashtu.

Përveç kësaj, 49 automjete shpëtimi u dëmtuan gjatë operacioneve të shpëtimit dhe 43 ambulanca u goditën gjatë ofrimit të shërbimeve, disa prej të cilave u goditën drejtpërdrejt nga raketat.

Dhe kujtojmë se për të gjithë këto dëme Irani u kërkon tashmë një dëmshpërblim agresorëve. /tesheshi

Exit mobile version