Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot në Bruksel një takim pune me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ku u fokusua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të vendit, prioritetet reformuese dhe sfidat aktuale në kuadër të agjendës evropiane, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit, gjatë bisedimeve, zëvendëskryeministri Sali riafirmoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik i Qeverisë, i vlerësuar si një investim afatgjatë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit evropian.
Ai theksoi se momentumi pozitiv i krijuar duhet të shfrytëzohet përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet evropiane, me qëllim avancimin konkret të procesit integrues.
Në cilësinë e Ministrit për Çështje Evropiane, Kryenegociatorit, Koordinatorit Nacional për Instrumentin e Reformës dhe Rritjes (RGF), si dhe NIPAC, Sali nënvizoi përkushtimin për të ruajtur fokusin e administratës shtetërore në reformat e lidhura me BE-në dhe për të siguruar vazhdimësinë e ritmit të reformave, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Në takim palët kanë shkëmbyer mendime edhe mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe Agjendës Reformuese, si dhe mbi çështje të tjera aktuale me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm dhe dialogut konstruktiv me institucionet e BE-së.
