Sapo ia kthen shpinën PDK-së, zyrtarët e saj nisin ta shajnë Shukri Bujën

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, që ishte edhe kryetar i degës së PDK-së në këtë komunë, Shukri Buja, pas dorëheqjes nga PDK-ja, pritet që sot t’i bashkohet Nismës për Kosovën.

Tërheqja e Bujës nga PDK-ja vjen pas rënies së thellë të PDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit, ku nga partia e parë në vend, PDK tani radhitet si fuqia e tretë elektorale.

Ndërkohë, kalimin e Bujës nga PDK-ja në Nismë, partia e Kadri Veselit po mundohet ta arsyetojë me disa akuza që dëgjohen vetëm tash kur Buja ia ktheu shpinën partisë.

Portalit lajmi.net, dikush brenda PDK-së i ka thënë se Buja është larguar nga PDK-ja sepse kryetari Veseli nuk i ka dhënë besimin për të kandiduar për kryetar të Lipjanit, pasi që Buja ngarkohet me aktakuza nga Prokuroria.

“Buja bënë pjesë në listën e zyrtarëve të PDK-së që partia ka vendosur t’i largoj nga radhët e saj për shkak të veprave korruptive dhe aferave të shumta për të cilat akuzohen nga organet e rendit”, ka thënë një zyrtar i PDK-së në kushte anonimiteti për portalin.

Sipas po këtij zyrtari “Buja ishte pasuruar së tepërmi gjatë kohës sa ishte në pushtet”.

Megjithatë, në PDK vazhdojnë të mbeten zyrtarë që kanë probleme serioze me ligjin dhe që janë pasuruar me intensitet më të shpejtë se Buja.

Ndërkohë, Buja pritet që sot në orën 14:00 ta bëj publik aderimin e tij në Nismë në një konferencë për media. /Periskopi/