Sarkozy refuzon të përgjigjet, nuk i bindet gjyqtarit në sallën e gjyqit

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në sallën e gjyqit, ku u shfaq në cilësinë e dëshmitarit në procesin që po zhvillohet ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij për keqpërdorim të fondeve publike.

Sarkozy, që ka imunitet presidencial në këtë çështje, kishte deklaruar fillimisht se nuk do të paraqitej në proces pasi u gjykua dhe u shpall fajtor dy herë më herët gjatë vitit për dy çështje të ndryshme.

Ish-presidenti, aktualisht 66 vjeç, u urdhërua megjithatë nga gjykatësi që të shfaqej si dëshmitar në procesin për tenderët për sondazhet në kohën kur ishte në detyrë.
I cituar nga mediat Franceze, Sarkozy tha se urdhri i gjyqtarit ishte “anti-kushtetues” dhe “i papërshtatshëm”.

Sarkozy ishte president nga viti 2007 në 2012-n. Ai humbi imunitetin nga procedimi gjyqësor një muaj pasi la postin dhe që atëherë është përballur me hetime nën dyshimin e korrupsionit, mashtrimit, favorizimeve dhe parregullsive në financimin e fushatës. /euronews