Sarkozy shpallet fajtor për financim ilegal të fushatës presidenciale në 2012

Nicolas Sarkozy

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy u shpall fajtor nga Gjykata në Paris për financimin ilegal të fushatës së tij elektorale në vitin 2012.

66-vjeçari, i cili gjithnjë ka mohuar akuzat nuk ishte në gjykatë për t’u përballur me vendimin.

Ai u akuzua se ka shpenzuar rreth 22.5 milionë euro, pothuajse dyfishi i shumës maksimale ligjore për fushatën e tij të rizgjedhjes presidenciale në 2012. Ndaj tij u kërkua një vit burg, përfshirë gjashtë muaj me kusht.
Por, ndonëse u shpall fajtor ai nuk ka gjasa të shkojë menjëherë në qeli, pasi pritet të apelojë vendimin. Prokurorët e akuzuan ish-presidentin se kishte injoruar dy shënime nga kontabilistët e tij që paralajmëronin për çështjen e parave.

Sipas tyre, Sarkozy është “personi i vetëm përgjegjës për financimin e fushatës së tij” dhe se ai zgjodhi të kalojë kufirin duke organizuar shumë tubime, disa prej të cilave ishin edhe shumë të mëdha.

Përvec ish-presidentit, 13 persona të tjerë dolën në gjyq, përfshirë anëtarët e partisë së tij konservatore, kontabilistë dhe krerët e grupit të komunikimit të ngarkuar me organizimin e tubimeve.

Disa kanë pranuar akuzat dhe kanë dhënë detaje.

Ky është gjykimi i dytë brenda vitit për njeriun që sundoi Francën nga viti 2007 deri në vitin 2012 dhe vazhdon të ketë ndikim mes konservatorëve pavarësisht problemet ligjore.

Ish-presidenti u shpall fajtor në muajin mars pasi tentoi të korruptonte një gjykatës që të merrte informacion konfidencial në një hetim gjyqësor.

Ai u dënua me tre vjet burg, dy vite prej të cilave u pezulluan ndërsa apeli i tij është në pritje.

Ish-lideri francez po hetohet gjithashtu për akuzat se ai ka marrë para nga ish-lideri Muamar Gaddafi për të financuar fushatën e tij të suksesshme presidenciale në 2007 dhe për ndikim në rastet në lidhje me aktivitetet e tij këshilluese në Rusi.

Sarkozy u tërhoq nga politika në vitin 2017, por ende po luan një rol në prapaskenë. /euronews