Demarkacioni është çështje kyçe për liberalizimin e vizave, ndërkohë që duhet vazhduar edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Kështu tha sekretarja e Përgjithshme e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm Helga Schmid, pas takimit që kishte sot me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
Schmid ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, ndërkohë që institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë avancimet e duhura sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të qenë sa më afër BE-së.
Schmid po ashtu uroi autoritetet e Kosovës, për procesin e mirë të zgjedhjeve, duke pohuar se duhet adresuar problemet me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të ecin ‘vizavi’ me standardet evropiane.
Ajo foli dhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbinë, për të cilin tha se përfaqësuesja e lartë evropiane Frederica Mogherini, është plotësisht e zotuar për vazhdimin e dialogut të ri dhe suksesin e tij. Ndërsa shtoi se dialogu është çelës për avancimin e Kosovës dhe Serbisë, si dhe kontribuon në stabilitetin në regjion.
Ndërsa kryeministri Haradinaj pohoi se dinamika e Kosovës me BE-në, po intensifikohet dhe se Kosova është e vendosur në perspektivën e saj evropiane.








