Scholz: Gjermania do ta furnizojë Ukrainën me armë për aq sa ka nevojë

Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me armë për aq sa ka nevojë, ka thënë se kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë një fjalimi në takimin vjetor të Federatës së Industrive gjermane të martën.

Scholzi gjithashtu ka ripohuar angazhimin e Gjermanisë për të qëndruar me Lituaninë dhe aleatët tjerë lindorë.

“Evropa dhe demokracitë perëndimore nuk i pranojnë sulmet e dhunshme në Ukrainë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për këtë arsye Ukraina është furnizuar me armë dhe Rusia me sanksione, shkruan CNN-i.

“Këto sanksione funksionojnë. Po, këto sanksione po na bëjnë dëm edhe neve. Ato janë duke dëmtuar edhe kompanitë, por ato do t’ia dalin”, ka thënë ai. “Liria e ka çmimin e saj. Demokracia e ka çmimin e saj. Solidariteti me shoqërinë dhe partnerët e ka çmimin e tij. Ne jemi të gatshëm ta paguajmë këtë çmim”.

Scholz ka thënë se udhëtimi i tij në Irpin afër Kievit ia ka bërë të qartë se Ukraina i përket familjes evropiane.

“Unë kurrë nuk do t’i harroj imazhet e tmerrshme që i kam parë atje”, ka thënë ai, duke shtuar se ai do të bëjë përpjekje për vendim pozitiv sa i përket dhënies së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE për Ukrainën. /koha