Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar se ndërhyrja e SHBA-së në Iran do të destabilizonte Lindjen e Mesme dhe gjithashtu do të dëmtonte interesat amerikane, transmeton Anadolu.
Larijani në platformën sociale të kompanisë amerikane X reagoi ndaj deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Me deklaratat e zyrtarëve izraelitë dhe të Trumpit, ajo që ka ndodhur pas skenave tani është e qartë”, shkroi Larijani.
Ai tha se Irani bën dallimin mes “qëndrimit të tregtarëve protestues dhe veprimeve të aktorëve përçarës”, si dhe paralajmëroi se ndërhyrja amerikane, në atë që ai e përshkroi si një çështje të brendshme, do të “destabilizonte të gjithë rajonin dhe do të shkatërronte interesat e Amerikës”.
“Populli amerikan duhet ta dijë, Trump e nisi këtë aventurizëm. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për sigurinë e ushtarëve të tyre”, shtoi ai.
Deklaratat e tij erdhën pasi presidenti Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërhynte nëse Irani “qëllon dhe vret me dhunë protestues paqësorë”, duke theksuar se SHBA-ja është “e gatshme dhe e armatosur për të vepruar”.
