Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëron se sundimi global i ligjit po...

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëron se sundimi global i ligjit po zëvendësohet nga “ligji i xhunglës”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, të hënën paralajmëroi se rendi global po dobësohet teksa sundimi i ligjit po zëvendësohet me atë që ai e quajti “ligji i xhunglës”, raporton Anadolu.

Duke bërë thirrje për angazhim të ri ndaj multilateralizmit dhe llogaridhënies, Guterres theksoi se “sundimi i ligjit është një themel i paqes dhe sigurisë globale” gjatë debatit të hapur të Këshillit të Sigurimit me temë “Rikonfirmimi i Sundimit Ndërkombëtar të Ligjit: Rrugë drejt Ringjalljes së Paqes, Drejtësisë dhe Multilateralizmit”.

Ai kujtoi se në vitin 2024, shtetet anëtare të OKB-së miratuan “Paktin për të Ardhmen” që përfshinte një angazhim “për të vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe për të përmbushur detyrimet me besnikëri” por paralajmëroi se “fjalët nuk po përputhen me veprimin”.

“Rreth globit, sundimi i ligjit po zëvendësohet nga ligji i xhunglës. Ne shohim shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe mosrespektim të hapur të Kartës së OKB-së”, tha ai.

Për konfliktet “nga Gaza te Ukraina, nga Saheli te Mianmari, në Venezuelë dhe diku tjetër” Guterres vuri në dukje se “sundimi i ligjit po trajtohet si a la carte menu (një menu e zgjedhur sipas dëshirës)”.

Ai theksoi se shtetet po shkelin ligjin ndërkombëtar “pa u ndëshkuar” përmes përdorimit të paligjshëm të forcës, goditjes së infrastrukturës civile, shkeljeve dhe keqpërdorimeve të të drejtave të njeriut, zhvillimit të paligjshëm të armëve bërthamore, ndryshimeve kushtetuese të qeverive dhe mohimit të ndihmës humanitare jetësore”.

“Këto shkelje krijojnë precedente të rrezikshme, duke i inkurajuar vendet e tjera të bëjnë atë që duan, në vend të asaj që janë të detyruara të bëjnë sipas ligjit ndërkombëtar”, paralajmëroi ai.

– Asnjë trup tjetër apo koalicion ad hoc nuk mund të detyrojë të gjitha shtetet mbi paqen dhe sigurinë

Duke nënvizuar autoritetin unik të Këshillit të Sigurimit, Guterres tha: “Në një epokë të mbushur me iniciativa, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara qëndron i vetëm në autoritetin e mandatit të Kartës për të vepruar në emër të të gjitha Shteteve Anëtare për çështjet e paqes dhe sigurisë”.

“Vetëm Këshilli i Sigurimit miraton vendime që janë detyruese për të gjithë” tha ai, duke theksuar se “asnjë trup tjetër apo koalicion ad hoc nuk mund të kërkojë në mënyrë ligjore që të gjitha vendet t’i nënshtrohen vendimeve mbi paqen dhe sigurinë”.

Ai shtoi se “vetëm Këshilli i Sigurimit mund të autorizojë përdorimin e forcës sipas ligjit ndërkombëtar, siç përcaktohet në Kartë. Përgjegjësia e tij është unike. Detyrimi i tij është universal” duke vënë në dukje se reforma e këshillit është “thelbësore”.

Guterres gjithashtu theksoi nevojën që “të sigurohet llogaridhënie dhe të mbarohet pandëshkueshmëria” duke bërë thirrje për mbështetje për drejtësinë ndërkombëtare. “Gjykata Ndërkombëtare Penale, institucioni qendror i sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale, duhet të jetë në gjendje të operojë në mënyrë të pavarur”, tha ai.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme apo të drejtë pa llogaridhënie”, shtoi Guterres.

Exit mobile version