Serbët nuk ndalojnë provokimet, vendosin sërish mbishkrime “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”

Derisa tash e katër ditë në veri të vendit situata është e njëjtë dhe serbët vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët që qojnë në Jarinje dhe Bërnjak, tjetër gjë është bërë në Novobërdë.

Mbishkrime “Mirësevini në Bashkimin e Komunave Serbe” janë vendosur në rrugët kryesore të Novobërdës, si shenjë proteste për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë lidhur me targat e automjeteve që hyjnë në Kosovë nga shteti serb.

I njëjti mbishkrim është varur edhe në fshatin Koretishtë, ku jetojnë rreth 1 mijë serbë, transmeton lajmi.net.

Një mesazh i ngjashëm ishte vendosur më herët edhe në fshatin Ranillug, në Graçanicë e në pjesën veriore të vendit.

Ndryshe në veri vazhdojnë të jenë të pranishme forca të shtuara të Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për rendin dhe qetësinë në këtë anë.

Të njëjtit tash e katër ditë për 24 orë rresht janë të pranishëm në vendet e njëjta, në mënyrë që të mos ketë ndonjë incident të mundshëm.

Serbët po vazhdojnë të jenë të grumbulluar dhe të njëjtit shpesh herë provokojnë edhe me fjalë, apo këngë të ndryshme serbe në drejtim të policëve të Kosovës.

Koretishtë

Të njëjtit vendosën bllokada të rënda në këto rrugë dhe kësisoj kundërshtojnë t’i largojnë ato duke kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheq vendimin në fjalë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje u bëri thirrje kryetarëve të komunave me shumicë serbe që të largojnë kamionët nga rruga e që sipas tij të gjithë janë pronë komunale.

Kurti deklaroi se ky vendim i reciprocitetit do të hiqej në rast se Serbia do të njihte targat e Kosovës dhe ngjashëm Kosova do të njihte ato të Serbisë dhe qarkullimi do të mundësohej pa targa provuese.

Që nga 20 shkurti kur edhe hyri në funksion ky vendim, në kuadër të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në MPB janë lëshuar një numër i madh i targave për automjetet që hyjnë në shtetin e Kosovës nga Serbia.

Për dallim nga serbët në Jarinje e Bërnjak të cilët vazhdojnë të kundërshtojnë këtë vendim, situata më e qetë dhe më e rregullt është në pikat tjera kufitare me Serbinë.

Shumë prej qytetarëve serbë por edhe shqiptarët të cilët jetojnë në Luginë po ndërrojnë tabelat dhe po kryejnë pagesat të cilat kërkohen në këtë rast.

Pavarësisht gjithë kësaj mosmarrëveshje në mes serbëve dhe Qeverisë së Kosovës, sipas policisë situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident