SHBA, gazetari saudit Khashoggi përkujtohet në përvjetorin e tretë të vdekjes së tij

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit saudit Jamal Khashoggi i cili ishte viktimë e një vrasjeje në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, në ceremoninë përkujtimore që u zhvillua përpara Kongresit Amerikan me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së Khashoggit i bëri thirrje presidentit të SHBA-së, Joe Biden që të mbajë premtimin e tij për të ndëshkuar autorët e vrasjes së gazetarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari saudit Jamal Khashoggi u përkujtua në 3-vjetorin e vdekjes me një aktivitet të mbajtur nga platforma “Freedom First (Liria së pari)”.

Këtu u ekspozua edhe portreti në madhësinë prej rreth 3.5 metra gjerësi dhe lartësi i formuar duke bashkuar shkrimet e gazetarit Khashoggi.

Në aktivitetin në fjalë krahas të fejuarës së tij Hatice Cengiz morën pjesë edhe shumë mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe shokët e Khashoggit në SHBA.

Në një fjalim të mbajtur në ceremoni, Cengiz tha se “Jamal nuk ishte vetëm një gazetar. Nuk ishte gjithashtu vetëm një person që luftonte për të drejtat e popullit saudit dhe botës islame”.

“Khashoggi përdori kalemin e tij që populli saudit të kishte të drejtat më themelore të tij”, nënvizoi Cengiz e cila shtoi se ato që e vendosën në veprim Khashoggin ishte zëri i personave të heshtur.

Thirrje ndaj Bidenit

Cengiz rikujtoi se në periudhën kur Khashoggi u masakrua, në detyrë ishte presidenti Donald Trump, ku pavarësisht vrasjes, princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman nuk u ndëshkua dhe se shitja e armëve ndaj Arabisë Saudite vazhdoi. “Në atë periudhë Biden i cili ishte kandidat për president tha se Khashoggi dhe të afërmit e tij meritojnë drejtësi. Deklaroi se Jamal nuk do të kishte vdekur kot”, tha Cengiz.

Duke rikujtuar se presidenti amerikan Biden i ka premtuar popullit të tij për të “mbrojtur të drejtat e njeriut” dhe për të “ndryshuar marrëdhëniet me Arabinë Saudite”, Cengiz më tej theksoi:

“President Biden dhe zv.presidente Harris, kur do të kaloni në veprim për të përmbushur premtimin? Kur fjalët tuaja do t’i shndërroni në vepra? Pavarësisht premtimeve të bëra a do të vazhdojë administrata e Bidenit marrëdhëniet e saj me Arabisë Saudite si zakonisht?”.

Po ashtu Cengiz reagoi edhe ndaj dërgimit të një delegacioni nga administrata e Bidenit këtë javë në Arabinë Saudite. “Mohammed bin Salman e mori Jamal nga unë dhe e gjithë bota. A do të kërkoni llogari prej tij? Apo mos vallë do t’i shpërbleni vrasësit?”, u shpreh Cengiz.

Pjesëmarrësit që morën fjalën në aktivitet bënë thirrje për “drejtësi” lidhur me vrasësit e Khashoggit.

Në fund të aktivitetit në përkujtim të Khashoggit të gjithë pjesëmarrësit ndezën qirinj.

Protestë për Khashoggin përpara ambasadës së Arabisë Saudite në Washington

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Jamal Khashoggit u mbajt aktivitet protestues edhe përpara ambasadës së Arabisë Saudite në Washington.

Protestuesit me maskën e Khashoggit në duar hapën pankartën me mbishkrimin “Drejtësi për Jamal”.

Kolumnisti i gazetës “Washington Post” i cili njihej me kritikat e tij kundër princit të kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, më 2 tetor 2018 hyri dhe nuk doli më nga konsullata e Arabisë Saudite në Stamboll. Më pas u zbulua se Khashoggi u vra në konsullatë dhe më pas trupi i tij u copëtua. /aa