SHBA-ja, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania: Zgjedhjet në Siri nuk do të jenë të lira dhe të drejta

Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë nëpërmjet një deklarate të përbashkët theksuan se zgjedhjet që do të mbahen në Siri nuk do të zhvillohen në një mjedis të lirë dhe të drejtë dhe se nuk ka ndonjë legjitimitet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi deklaratën e përbashkët me shkrim të bërë nga SHBA-ja dhe ministrat e jashtëm të 4 vendeve evropiane lidhur me zgjedhjet në Siri.

“Si ministra të jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë dhe SHBA-së shprehim në mënyrë të hapur se zgjedhjet presidenciale më 26 maj në Siri nuk do të jenë të lira dhe të drejta. Refuzojmë këtë vendim të regjimit të Assadit për të kryer këto zgjedhje jashtë kuadrit të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimi të OKB-së”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në deklaratë vihet në dukje se opozitarët sirianë “nuk i shikojnë legjitime” këto zgjedhje dhe tërhiqet vëmendja se vendet në fjalë nuk pranojnë procesin e zgjedhjeve në të cilat nuk paraqiten zërat dhe mendimet e sirianëve.

“Zgjedhjet e lira dhe të drejta në Siri mund të mbahen vetëm nën transparencën ndërkombëtare dhe kushtet e llogaridhënies nën vëzhgimin e OKB-së. Në mënyrë që një proces zgjedhor të jetë i besueshëm është e nevojshme që në zgjedhje të marrin pjesë në mënyrë të besueshme të gjithë sirianët përfshirë sirianët e zhvendosur brenda vendit, refugjatët dhe ata në diasporë”, thuhet në deklaratë.

“Pa këto elemente, këto zgjedhje mashtruese nuk përfaqësojnë asnjë përparim në drejtim të dakordimit politik”, theksohet në deklaratën në të cilën SHBA-ja dhe aleatët e tjerë evropianë kanë vendosur theksin edhe njëherë mbi rëndësinë e një procesi të dakordimit politik të përshtatshëm me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Regjimi i Bashar Al Assadit sot në Siri, në vendin ku janë zhvendosur miliona sirianë dhe ku të ashtuquajturit kundërshtarë nuk kanë kontaktuar me popullsinë zhvillon zgjedhje “presidenciale” sa për “shfaqje”.

Në procesin të cilin ministri i Jashtëm i regjimit sirian Faisal Mekdad i ka konsideruar si “1.000 herë më të mirë se zgjedhjet në Amerikë” pretendohet se garojnë 3 emra të cilët kanë shpallur kandidimin me vendim të gjykatës kushtetuese. Sipas ligjeve të regjimit, fushata zgjedhore që ka filluar më 16 maj ka përfunduar dje në mëngjes.