“SHBA-ja ka shqetësime serioze mbi praktikat tregtare të Kinës”

SHBA-ja ka shqetësime serioze me praktikat tregtare të Kinës, ndërsa Washington-i është gati të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e tij ekonomike, tha një zyrtare amerikane, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) të hënën, Përfaqësuesja Amerikane e Tregtisë Katherine Tai tha se Washington-i ka “shqetësime serioze me praktikat tregtare të përqendruara në shtet dhe ato jo të tregut, që nuk u trajtuan në marrëveshjen e Fazës së Parë”.

“Ne do të përdorim gamën e plotë të mjeteve që kemi dhe do të zhvillojmë mjete të reja sipas nevojës për të mbrojtur interesat ekonomike amerikane nga politikat dhe praktikat e dëmshme”, tha Tai, ndërsa përshkroi qasjen e re të administratës së presidentit Joe Biden në lidhje me marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Sipas Fazës së Parë të marrëveshjes tregtare të nënshkruar midis Washington-it dhe Pekinit në janar 2020, Kina duhet të blejë rreth 200 miliardë dollarë mallra shtesë amerikane në dy vjet, përveç kërkesave të tjera.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë futën tarifa miliarda-dollarëshe njëra-tjetrës duke filluar nga viti 2017 nën administrimin e ish-presidentit Donald Trump, pasi Washington-i akuzonte Pekinin për bllokimin e hyrjes në tregjet e tij dhe vjedhjen e pronës intelektuale.

“Për një kohë të gjatë, mungesa e respektimit të normave tregtare globale të Kinës ka dëmtuar prosperitetin e amerikanëve dhe të tjerëve në gjithë botën”, tha Tai.

Ajo potencoi se angazhimet e Pekinit në pjesë të caktuara të Fazës së Parë janë përmbushur, por ka pasur mangësi tek të tjerat.

“Edhe me Marrëveshjen e Fazës së Parë në fuqi, qeveria kineze vazhdon të derdhë miliarda dollarë në industritë e targetuara dhe vazhdon të formësojë ekonominë e saj sipas vullnetit të shtetit, duke dëmtuar interesat e punëtorëve këtu në SHBA dhe në mbarë botën”, shpjegoi ajo.

“Sot, Kina përfaqëson 80 për qind të prodhimit global, kurse pjesë të mëdha të zinxhirit të furnizimit me diell madje nuk ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara”, shtoi Tai. /aa