Ballina Lajmet Kosovë ShBA kërkon reduktim të pranisë së trupave të NATO-s, përfshirë zvogëlimin e...

ShBA kërkon reduktim të pranisë së trupave të NATO-s, përfshirë zvogëlimin e trupave në Kosovë

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që NATO të përqendrohet më ngushtë në rolin e saj tradicional mbrojtës dhe të reduktojë angazhimet jashtë territorit euroatlantik.

Katër diplomatë të aleancës i kanë thënë mediumit Politico se Uashingtoni ka shtuar presionin muajt e fundit për rishikimin e disa misioneve kyçe.

Paralelisht, ShBA-ja pritet të tërheqë rreth 2,500 trupa nga Iraku në kuadër të një marrëveshjeje të mëhershme me qeverinë irakiane.

Brenda aleancës ka qëndrime të ndryshme, disa vende janë të hapura për zvogëlim gradual të pranisë, por jo për një tërheqje të menjëhershme, duke paralajmëruar se një hap i tillë mund të krijojë boshllëk sigurie në rajon.

Po ashtu, diplomatët kanë bërë të ditur se SHBA-ja ka ngritur diskutime të hershme për reduktimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili funksionon që nga viti 1999 dhe aktualisht ka rreth 4,500 trupa. Zyrtarë të aleancës theksojnë se nuk ekziston ndonjë afat për përfundimin e këtij misioni dhe se çdo vendim kërkon miratimin unanim të 32 shteteve anëtare.

Një tjetër pikë e debatit është samiti i radhës i NATO-s, që do të mbahet në korrik në Ankara. Sipas burimeve diplomatike, Uashingtoni ka propozuar që në takimet formale të mos ftohen Ukraina dhe partnerët e Indo-Paqësorit – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut – me arsyetimin e fokusimit në çështjet thelbësore të mbrojtjes kolektive.

Exit mobile version