SHBA, muslimanët thirrje zinxhirit Hilton të ndalë projektin për hotel në vendin e një xhamie të shembur në Kinë

Organizata më e madhe e shoqërisë civile muslimane në SHBA, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR), i ka bërë thirrje zinxhirit të hoteleve Hilton me qendër në SHBA që “të ndalë projektin” për të cilin ajo ka planifikuar të ndërtojë një hotel në vend të një xhamie të shembur nga qeveria e Kinës në rajonin autonom ujgur Xinjiang, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori ekzekutiv kombëtar i CAIR, Nihad Awad dhe hulumtuesi i CAIR, Ismail Allison në një deklaratë me shkrim theksuan se Kina në kuadër të “fushatës së gjenocidit” kundër turqve ujgurë po përpiqet të eliminojë kulturën, historinë dhe kryesisht identitetin islam të turqve ujgurë.

“Hilton duke ndërtuar hotel në vendin e një xhamie të shembur me buldozerë në qytetin Hotan në rajonin autonom ujgur Xinjiang, ndihmon Kinën që të arrijë objektivin e saj për gjenocid”, thuhet në deklaratë.

– “Të ndihmosh për fshirjen e kulturës ujgure, do të thotë të ndihmosh gjenocidin”

Hilton duhet të ndalë projektin dhe duhet të vetëndërgjegjësohet për politikën shtypëse të Kinës kundër ujgurëve dhe pakicave të tjera muslimane, thuhet në deklaratën ku vihet theksi se “Kina zbaton politikë për fshirjen e kulturës për të siguruar eliminimin e popullit ujgur. Po vendosen në objektiv xhamitë dhe vendet e adhurimit (tempujt). Instituti Australian për Politika Strategjike thekson se që nga viti 2017 e deri më tani në Xinjiang janë shkatërruar ose dëmtuar 16 mijë xhami”.

Gjithashtu në deklaratë është ndarë mendimi se “Nëse kompania Hilton vazhdon të ndërtojë hotelin Hampton në vendin e një xhamie të shembur, ajo do të ndihmojë në politikën e qeverisës së Kinës kundër ujgurëve për fshirjen e kulturës së tyre. Të ndihmosh për fshirjen e kulturës ujgure, do të thotë të ndihmosh gjenocidin”.

Duke njoftuar se ka filluar një peticion për të ndaluar projektin e hotelit në fjalë, në deklaratë u bëhet thirrje njerëzve që respektojnë të drejtat e njeriut që të nënshkruajnë këtë peticion. /aa