SHBA ka bërë të ditur se do të japë një shtesë prej 180 milionë dollarësh në ndihmë humanitare për të ndihmuar muslimanët Rohingya në Mianmar, Bangladesh dhe më gjerë në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA)
Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), njoftoi ndihmën e re gjatë seancës të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndihma shtesë rrit ndihmën amerikane që nga gushti i vitit 2017 në mbi 1.5 miliardë dollarë.
Atë vit, gati tre të katërtat e një milion muslimanëve Rohingya u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në Mianmar për shkak të sulmit ushtarak që është klasifikuar si spastrim etnik nga SHBA-ja.
Pothuajse i gjithë financimi amerikan, respektivisht 1.2 miliardë dollarë ka shkuar për të ndihmuar muslimanët Rohingya në Bangladesh, ku mbi një milion kanë kërkuar strehim gjatë goditjes katërvjeçare në Mianmarin fqinj. /aa