Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA paralajmëron zyrtarët e Kalifornisë për ndjekje penale për dyshimet për vota...

SHBA paralajmëron zyrtarët e Kalifornisë për ndjekje penale për dyshimet për vota nga persona pa shtetësi amerikane

Administrata e presidentit Donald Trump ka paralajmëruar zyrtarët zgjedhorë të Kalifornisë se mund të përballen me ndjekje penale nëse numërojnë fletëvotime të hedhura nga persona që dyshohet se nuk janë shtetas amerikanë, duke përshkallëzuar një mosmarrëveshje në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, transmeton Anadolu.

“Nëse persona numërojnë me vetëdije fletëvotime të hedhura nga individë të identifikuar nga agjencitë federale si joshtetas amerikanë, ata rrezikojnë të konsiderohen bashkëpunëtorë në kryerjen e një vepre penale federale”, shkroi zv/prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Trent McCotter, në një letër drejtuar zyrtarëve të kontesë së Los Anxhelosit.

Sipas raportit nga Newsmax, paralajmërimi erdhi pas një padie të ngritur të enjten nga Departamenti i Drejtësisë, i cili kërkon të ndalojë numërimin e fletëvotimeve të dërguara me postë nga individë të identifikuar si persona që “ka gjasa” të mos jenë shtetas amerikanë, derisa të verifikohet statusi i tyre i emigracionit.

Administrata iu referua një liste me 20.000 emra, ndërsa sekretarja e Shtetit e Kalifornisë, Shirley Weber, tha se administrata nuk ka paraqitur asnjë provë mbështetëse.

Profesori i së drejtës në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA), Rick Hasen, tha se letra e “përshkallëzon situatën, duke kërcënuar zyrtarët zgjedhor me ndjekje të mundshme penale”.

“Gjykatat nuk i kanë pranuar argumentet që ka paraqitur Departamenti i Drejtësisë dhe asgjë në këtë letër nuk është hartuar në mënyrë që ta ndryshojë këtë qëndrim”, tha Justin Levitt, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit Loyola dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.