Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, ka deklaruar se vendi i tij po ndjek në “mënyrë aktive” krijimin e një shteti të pavarur palestinez me “garanci reale të sigurisë” për Izraelin, transmeton Anadolu.
“Ne po ndjekim në mënyrë aktive krijimin e një shteti të pavarur palestinez me garanci reale të sigurisë për Izraelin, sepse ne besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin, për palestinezët dhe për rajonin”, tha Miller.
Miller tha se SHBA-ja ka procese të vazhdueshme të planifikimit të politikave për mënyrën më të mirë për ta çuar përpara krijimin e shtetit palestinez.
“Ne mbështesim krijimin e një shteti të pavarur palestinez dhe ne bëjmë shumë punë brenda qeverisë për të menduar se si ta realizojmë atë dhe ju na shihni që flasim për atë punë publikisht kur jemi në rajon”, theksoi ai.
Pa komentuar punët e brendshme që bën SHBA-ja për ta çuar përpara këtë objektiv, Miller tha se ka pasur një “ndryshim politikash”.