SHBA, shfajësohen dy personat e dënuar për atentatin ndaj Malcom X

Dy persona të dënuar për vrasjen e Malcolm X u liruan nga akuzat të enjten pasi u ngritën dyshime të reja për vrasjen e ikonës së të drejtave civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjyqtarja e Manhattan-it, Ellen Biben hodhi poshtë akuzat kundër Muhammad Aziz dhe të ndjerit Khalil Islam, pasi avokatët e tyre thanë se kanë dalë provat e reja shfajësuese gjatë një hetim të rihapur.

Avokatët thanë se provat treguan se personat nuk ishin të përfshirë në vdekjen e Malcolm X ndërsa autoritetet e ndjekjes fshehën informacione të rëndësishme që dinin për rastin.

Personi i tretë, Muxhahid Abdul Halim pranoi vrasjen dhe u dënua. Ai kishte thënë prej kohësh se dy të tjerët nuk ishin të përfshirë.

Muhammad Aziz dhe Khalil Islam këmbëngulën gjithmonë në pafajësinë e tyre pas të shtënave që ndodhën ndërsa Malcolm X po mbante një fjalim në një sallë në New York në vitin 1965. Dy personat u liruan me kusht në vitet 1980 ndërsa Khalil Islam vdiq në vitin 2009.

“Unë jam një burrë 83-vjeçar që u viktimizua nga sistemi gjyqësor”, tha Aziz në gjykatë të enjten. “Ngjarja që na ka sjellë sot në gjykatë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, tha ai.

Malcolm X ishte një lider i shquar i Lëvizjes Nacionaliste të personave me ngjyrë dhe zëdhënës i Kombit Islam, me qendër në Çikago. Ai mbajti një qëndrim më të ashpër në qasjen e tij ndaj të drejtave civile sesa bashkëkohësi i tij, Dr. Martin Luther King Jr. Ai u kërkoi ndjekësve të tij të ndiqnin të drejtat civile “me çdo mjet të nevojshëm”.

Më vonë, pak para vdekjes së tij, ai u nda nga Kombi Islam dhe ndoqi një ton më të butë. Disa nga organizata e quajtën atë si tradhtar.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Cyrus Vance Jr. hapi një vështrim të ri në çështjen kundër Khalil Islam dhe Muhammad Aziz ndërsa një dokumentar në Netflix të vitit 2020, “Kush e vrau Malcolm X?” ngriti më shumë pyetje në lidhje me hetimin.

Vance përcaktoi se kishte boshllëqe në hetim lidhur me provat dhe në gjykatë ai i kërkoi falje Azizit, familjes së tij dhe familjes së Khalil Islam-it në emër të zbatimit të ligjit “për këtë padrejtësi disa dekadashe”. /aa