Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA u kërkon të gjitha ambasadave të ndërmarrin “menjëherë” masa sigurie pas...

SHBA u kërkon të gjitha ambasadave të ndërmarrin “menjëherë” masa sigurie pas sulmeve në Lindjen e Mesme

Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka urdhëruar të gjitha ambasadave që të ndërmarrin “menjëherë” vlerësime të sigurisë, pas afër 300 sulmeve ndaj objekteve amerikane në mbarë botën që nga fillimi i luftës me Iranin tre javë më parë, transmeton Anadolu.

Washington Post shqyrtoi një kabllogram të dërguar sot, në të cilin thuhej se “tw gjitha misionet në mbarë botën” duhet të mbledhin komitetet e veprimit emergjent, ekipe shumëdisiplinore të krijuara për të identifikuar dhe planifikuar për kërcënimet, si dhe të rishikojnë “pozicionin e tyre të sigurisë”, duke përmendur “situatën në zhvillim në Lindjen e Mesme dhe potencialin për efekte zinxhir”.

Sipas Washington Post, kabllogrami ishte nënshkruar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe urdhri erdhi nga nënsekretari për Menaxhim, Jason Evans.

Zyrtarët amerikanë thanë se grupet militante në Iran vlerësohet se që nga 28 shkurti kanë kryer 292 sulme ndaj objekteve amerikane, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe paraqesin kërcënime “të vazhdueshme” për personelin amerikan në rajon.

Teksa urdhra të ngjashëm janë dërguar në javët e fundit për misionet diplomatike në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës me Iranin, urdhri i sotëm duket se është hera e parë që të gjitha misionet globalisht janë urdhëruar të rishikojnë sigurinë e tyre për shkak të luftës.

Disa misione amerikane janë mbyllur përkohësisht në mbarë botën dhe personelit amerikan i është kërkuar të largohet nga disa vende.

Një nga sulmet të profilit më të lartë ndodhi në Ambasadën e SHBA-së në Riad të Arabisë Saudite, ku zyrtarët thanë se objekti u bë pjesërisht i “parikuperueshëm” pas një sulmi me dron në fillim të këtij muaji.

Përveç kërcënimeve ndaj objekteve amerikane në Lindjen e Mesme, ka pasur disa incidente dhune në mbarë botën që kanë shënjestruar objektet amerikane, përfshirë të shtëna me armë jashtë Konsullatës së SHBA-së në Toronto, një shpërthim pranë Ambasadës së SHBA-së në Oslo dhe një sulm ndaj një ndërtese banimi ku strehohen diplomatë amerikanë në Izrael.

Exit mobile version