Një gjykatës në shtetin amerikan Georgia dënoi të premten tre të bardhë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Ahmaud Arbery-t në vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykatësi Timothy Walmsley dënoi Gregory McMichael-in dhe djalin e tij Travis McMichael me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
Fqinji i tyre, William “Roddie” Bryan, u dënua me burgim të përjetshëm me mundësinë e lirimit me kusht. Ai ka mundësinë të largohet më herët pas 30 vitesh, pasi ky është dënimi minimal për vrasje sipas ligjeve të shtetit Georgia.
McMichaels qëndronin ulur në sallën e gjyqit kokulur ndërsa gjyqtari Walmsley lexoi vendimin me zë të lartë.
Walmsley tha se babait dhe djalit McMichael iu dha dënimi më i ashpër i disponueshëm, pjesërisht për shkak të fjalëve dhe veprimeve të tyre të pakëndshme të regjistruara në video.
“Ishte një skenë e tmerrshme, vërtet e tmerrshme”, tha gjykatësi për pjesën e videos së regjistruar në celular ku shihet vetëm vrasja dhe ku McMichael gjithashtu i drejton një armë gjahu Arbery-t rreth gjashtë deri në shtatë metra larg.
Ai theksoi se Arbery u “gjuajt, u qëllua dhe u vra sepse individë nga kjo sallë gjyqi morën drejtësinë dhe ligjin në duart e tyre”.
Juria në Georgia në nëntor të vitit të kaluar shpalli tre personat, që ndoqën dhe vranë Arbery-n në shkurt 2020, fajtorë për një sërë akuzash, duke përfshirë vrasjen e rëndë.
Afroamerikani 25-vjeçar Arbery u vra me armë zjarri në qytetin port Brunswick në shkurt të vitit 2020. /aa