Shefi i agjencisë së OKB-së për refugjatët ‘i tmerruar’ nga shkatërrimi në Ukrainë pas vizitës 6-ditore

Shefi i agjencisë së refugjatëve të OKB-së tha pas një vizite gjashtëditore në Ukrainë se është “i tmerruar” nga shkatërrimi që ka parë si rezultat i raketave dhe granatimeve të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi, përfundoi vizitën e tij të tretë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, me një thirrje për donatorët që të qëndrojnë në kurs dhe të mbështesin njerëzit që vuajnë rëndë.

“Isha i tmerruar nga niveli i shkatërrimit që pashë si rezultat i raketave dhe granatimeve ruse”, tha Grandi.

“Infrastruktura civile si termocentralet, sistemet e ujit, kopshtet dhe ndërtesat e banimit janë dëmtuar ose shkatërruar. Civilët, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar, janë vrarë ose janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke iu shkatërruar gjithë jeta nga këto sulme të pakuptimta”, theksoi ai.

Grandi udhëtoi nëpër jug dhe lindje të vendit, duke parë shkatërrimin dhe dëmtimet, duke takuar shtatë krerë të administratave të provincave, disa kryetarë bashkie dhe shumë civilë të prekur nga lufta në Odesa, Mykolaiv, Zaporizhzhia, Dnipro, Kharkiv dhe Kiev.

Presidenti Volodymr Zelenskyy, zëvendëskryeministri Oleksandr Kubrakov dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba e pritën gjithashtu zyrtarin e OKB-së.

Ai tha se UNHCR-ja ka mbështetur më shumë se 4,3 milionë ukrainas që nga fillimi i invazionit.

“UNHCR ka kontribuar gjithashtu në rrjetin e qeverisë së ‘Pikave të pathyeshme’ – strehimore publike të pajisura me gjeneratorë, ngrohës dhe Wi-Fi në mënyrë që njerëzit të mund të shmangin temperaturat më të këqija të dimrit, të ngarkojnë bateritë e tyre dhe të kenë dritë dhe lidhje me punën dhe studimet”, tha Grandi.

Ai tha se ishte dëshmitar i zyrtarëve dhe qytetarëve ukrainas duke riparuar dhe rindërtuar infrastrukturën e dëmtuar.

“Ndërsa ndërtesat janë shkatërruar, shpirti i popullit ukrainas është i pathyer”, shtoi ai.

“Jam shumë i frymëzuar nga forca dhe qëndrueshmëria e tyre. Na takon të gjithë neve – komunitetit ndërkombëtar – t’i mbështesim ata ndërsa nisin rimëkëmbjen. Unë u bëj thirrje shteteve, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe të tjerëve që të kontribuojnë në këtë detyrë – dhe shpejt”, theksoi Grandi.

Grandi paralajmëroi gjithashtu se nevojat humanitare mbeten akute, veçanërisht në rajonet e vijës së parë të vendit.