Morgan McSweeney ka dhënë dorëheqjen nga posti i shefit të kabinetit të kryeministrit britanik Keir Starmer, mes pasojave të skandalit të Peter Mandelsonit lidhur me zbulimet e reja për Jeffrey Epsteinin, transmeton Anadolu.
“Pas një reflektimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen nga qeveria,” tha McSweeney në deklaratën e dorëheqjes.
Siç raporton BBC, McSweeney pranoi se vendimi për të emëruar Mandelsonin si ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në SHBA vitin e kaluar “ishte i gabuar”.
“Vendimi për të emëruar Peter Mandelsonin ishte i gabuar. Ai ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin në vetë politikën”, tha ai.
Të enjten, Starmer tha se ishte i “penduar” që ka besuar “gënjeshtrat” e Mandelsonit dhe e ka emëruar atë ambasador në SHBA, ndërsa presioni ndaj tij u shtua pasi ai pranoi se kishte dijeni për lidhjet e Mandelsonit me Epsteinin, të dënuar për krime seksuale.
Mandelson u shkarkua në muajin shtator, por dosjet e reja për Epsteinin sugjerojnë se ai kishte ndarë informacione konfidenciale me të dënuarin për krime seksuale, kur shërbente si sekretar i biznesit në vitin 2009.
Mandelson gjithashtu ka dhënë dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe nga Partia Laburiste.
