Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka bërë thirrje për përmbajtje pas sulmeve të SHBA-së në Venezuelë, duke theksuar se “në të gjitha rrethanat” parimet e së drejtës ndërkombëtare duhet të respektohen, transmeton Anadolu.
“Kam folur me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio dhe ambasadorin tonë në Karakas. BE-ja po monitoron nga afër situatën në Venesuelë”, shkroi Kallas në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Duke përsëritur qëndrimin e BE-së në lidhje me nevojën për tranzicion në Venezuelë, Kallas tha se “BE-ja vazhdimisht ka deklaruar se z. Maduro nuk ka legjitimitet dhe ka mbrojtur një tranzicion paqësor”.
“Në të gjitha rrethanat, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohet. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, theksoi Kallas.
Ajo theksoi se siguria e qytetarëve të BE-së në Venezuelë është “prioritet kryesor”.
Më herët, qeveria e Venezuelës akuzoi SHBA-në për sulme ndaj instalimeve civile dhe ushtarake në shtete të shumta të vendit dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, në platformën e tij Truth Social konfirmoi kryerjen e një sulmi në “shkallë të gjerë”, duke theksuar se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe gruaja e tij janë kapur dhe janë larguar me avion nga vendi.
Sulmet vijnë pas muajsh tensionesh me SHBA-në, e cila akuzoi Maduron për përfshirje në trafikun e drogës. Maduro mohoi se është udhëheqës karteli dhe ka shprehur gatishmëri për të zhvillur bisedime.
