Viti 2025 pritet të bëhet viti i dytë më i nxehtë globalisht që nga fillimi i matjeve, sipas të dhënave të reja të publikuara të martën nga “Copernicus”, shërbimi klimatik i BE-së, transmeton Anadolu.
Bazuar në shifrat paraprake për periudhën janar–nëntor, temperatura mesatare globale e ajrit pranë sipërfaqes këtë vit tashmë është barazuar me vitin 2023, që aktualisht renditet i dyti më i nxehtë, dhe është pak më poshtë rekordit të vendosur në vitin 2024.
Nëntori ishte muaji i tretë më i ngrohtë i ndonjë nëntori të regjistruar ndonjëherë, me temperatura 1,54 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale. Ngjarjet ekstreme të motit, përfshirë ciklonet tropikale në Azinë Juglindore, sollën përmbytje katastrofike dhe humbje të mëdha jetësh.
Samantha Burgess, drejtuese strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikime Afatmesme, ka thënë se të dhënat “pasqyrojnë ritmin gjithnjë e më të shpejtë të ndryshimeve klimatike” dhe ka theksuar se ulja e shpejtë e emetimeve të gazeve serrë është mënyra e vetme për të frenuar ngrohjen e mëtejshme.
Në Evropë, nëntori 2025 ishte i pesti më i ngrohtë i shënuar ndonjëherë, me temperatura mbi mesataren sidomos në Evropën lindore, Rusi, Ballkan dhe Turqi.
Në veri të Suedisë, Finlandë, Islandë dhe në disa zona të Evropës qendrore u shënuan temperatura nën mesatare. Ndërkohë, vjeshta 2025 ishte e katërta më e ngrohtë për Evropën, me rritje më të theksuar të temperaturave në rajonet lindore.
Globalisht, Kanadaja veriore, Oqeani Arktik dhe Antarktida Lindore përjetuan temperatura dukshëm mbi mesataren, ndërsa disa pjesë të Rusisë verilindore regjistruan anomali nën mesatare.
Temperaturat e sipërfaqes së detit në nëntor ishin të katërtat më të larta të regjistruara ndonjëherë, me vlera veçanërisht të larta në Paqësorin Verior dhe Detin Norvegjez.
Akulli detar në Arktik ishte 12 për qind nën mesataren – niveli i dytë më i ulët për një nëntor – ndërsa akulli detar në Antarktidë ishte 7 për qind nën mesataren.
Nëntori ishte më i lagësht se zakonisht në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, disa pjesë të Evropës jugore dhe në juglindje të SHBA-së, ndërsa kushtet më të thata vazhduan në Meksikën veriore, Azinë qendrore dhe disa zona të Mesdheut. Azia Juglindore përjetoi përmbytje ekstreme që shkaktuan mbi 1.100 viktima.
Sipas Copernicusit, ndonëse viti 2025 mund të mos e kalojë kufirin prej 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale për vitin si tërësi, mesatarja trevjeçare 2023–2025 ka gjasë ta tejkalojë këtë prag për herë të parë.





