Shkaku i protestave, familja e kryeministrit izraelit zhvendoset në selinë e agjencisë së sigurisë – VIDEO

Familja e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu u zhvendos në selinë e agjencisë së sigurisë Shin Bet në Kuds, ndërsa protestuesit depërtuan nëpër postblloqe rreth shtëpisë së tij, transmeton Anadolu.

Njësia e Sigurisë 730 e transportoi familjen e Netanyahut në siguri, ndërsa shtëpia e tij në Kuds u sulmua nga protestuesit pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes Yaov Gallant për kritikat e tij ndaj reformës së diskutueshme të qeverisë në sistemin gjyqësor.

Mijëra njerëz dolën në autostradën kryesore Ayalon në Tel Aviv duke e bllokuar në të dy drejtimet, raportoi Times of Israel.

Policia izraelite përdori topa uji për të zmbrapsur protestuesit që depërtuan nëpër barrikadat pranë shtëpisë së Netanyahut.

Ndërkohë, të gjitha universitetet në të gjithë Izraelin njoftuan një grevë duke filluar nga sot, duke protestuar kundë planit të diskutueshëm të reformës gjyqësore.

Udhëheqësit e protestës kanë bërë thirrje për një protestë të madhe në Tel Aviv pas shkarkimit të ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, ndërsa protesta janë mbajtur edhe një qytete tjera të vendit.

Izraeli është përfshirë nga protesta masive gjatë 12 javëve të fundit kundër planeve të qeverisë për reformat në drejtësi, e cila shihet nga opozita si një rrëmbim i pushtetit në favor të autoritetit ekzekutiv.

Megjithatë, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, pretendon se plani i tij do të përmirësonte demokracinë dhe do të rivendoste ekuilibrin midis pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.