Ballina Lajmet Kosovë Shkeli fëmijën me veturë, Rozeta Hajdari shpallet fajtore për aksidentin

Shkeli fëmijën me veturë, Rozeta Hajdari shpallet fajtore për aksidentin

Rozeta Hajdari është shpallur fajtore për aksidentin që e ka shkaktuar në Prishtinë, si pasojë e të cilit ishte lënduar një fëmijë.
Kjo është konfirmuar nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 24 tetor 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Repulikës së Kosovës.

Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike udhëzohet në kontest civil.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./

Exit mobile version