Shkon në 188 numri i të vdekurve në sulmet izraelite në Gaza

Numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës të bllokuar ka shkuar në 188, duke përfshirë 33 gra dhe 55 fëmijë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht reagimeve të ashpra ndërkombëtare për sulmet vdekjeprurëse, Izraeli vazhdoi sulmet në Gaza gjatë natës nga e shtuna në të dielën.

Në një deklaratë, Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza tha se 26 palestinezë, duke përfshirë dhjetë gra dhe tetë fëmijë, humbën jetën në sulmet e kryera nga Izraeli që nga mesnata. Numri i të plagosurve ka arritur në 1.230.

Ndërkohë, Anwar Atallah, zyrtar i marrëdhënieve arabe dhe turke pranë ministrisë, tha për AA se sulmet shkaktuan shkatërrime të mëdha dhe për shkak të numrit të lartë dhe vdekjeve të vazhdueshme nuk kanë mbetur vende në morgje.

Tensionet u përhapën nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet e rezistencës Palestineze u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve të fundit izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo e cila kurrë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare. /aa