Shkup, mbërrijnë mbetjet mortore të 45 viktimave të aksidentin tragjik në Bullgari

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kanë mbërritur mbetjet mortore të 45 viktimave në aksidentin tragjik të autobusit, që ndodhi më 23 nëntor në afërsi të qytetit Pernik të Bullgarisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mbetjet mortore mbërritën në aeroport me dy aeroplanë transportues ushtarak të Bullgarisë dhe u nderuan me pritje shtetërore, pas çka menjëherë po dërgohen tek familjarët e tyre, ndërkohë në orët e paradites në nder të viktimave po vendosen kurorë lulesh në sheshin “Skënderbej”.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kortezhi me mbetjet mortore do të lëvizë në një rrugë të përcaktuar drejt dhe përmes kryeqytetit dhe se në sheshin “Skënderbej” do të vendoset një video-ekran nga ku qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin ngjarjen, por kjo u anulua me arsyetimin se familjarët kanë kërkuar që mos të vonohen viktimat për ceremonitë e mëtejshme të varrimit.

Aksidenti tragjik, ku humbën jetën 45 persona dhe shtatë mbetën të lënduar, ndodhi në autostradën ‘Struma’ në afërsi të qytetit Pernik të Bullgarisë, pasi zjarri kaploi gjithë automjetin dhe i njëjti u shkrumbua brenda pak minutash.

Mbetjet mortore u identifikuan të mërkurën në bazë të analizave të ADN-së, ndërkohë hetimi për shkakun e aksidentit të autobusit, që kthehej nga Stambolli drejt Shkupit, akoma vazhdon, si dhe udhëhiqet nga autoritetet bullgare të cilët po ashtu kanë ngarkuar edhe një auditor ndërkombëtar për të kryer një hetim të paanshëm të gjendjes së autostradës para aksidentit.

Autoritetet bullgare, në bazë të ekspertizës së parë, konstatuan se rruga kishte mungesa dhe se shkaku i vdekjes së 45 personave ishte zjarri në autobus. Po ashtu u konstatua vonesa prej 6 muajve për vënien e sinjalistikës së trafikut në autostradën ‘Struma’, ndërkohë pala bullgare njoftoi se përveç faktorit njeri prokuroria po heton edhe shkaqet e lëndëve të dyshimta ndezëse në autobus të cilat mund të kenë çuar në djegien e autobusit. /aa