Shpenzimet e ministrave serbë të Kosovës dhe shfrytëzimi i veturave zyrtare për takime edhe me Gjuriqin në veri

Ministrat e Listës Serbe që kanë marrë pjesë të hënën në mbledhjen ku është arrestuar zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq kanë shfrytëzuar përparësitë që u takojnë derisa janë pjesë e Qeverisë së Kosovës.

Përveç që kanë marrë pagën mujore, ata kanë shpenzuar edhe mijëra euro për derivate me veturë zyrtare, e po ashtu shpenzime kanë bërë edhe për thirrje me telefon mobil.

Por këta ministra shpeshherë kanë “keqpërdorur” veturat e shtetit të Kosovës, duke shkuar nëpër takime me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe me ministrin në detyrë të Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo i cili gjatë vizitës të ashtuquajturit Drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqit në veri të Mitrovicës, ka përdorur veturën zyrtare, por i ka larguar tabelat zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ministri në detyrë Rikalo nga shtatori e deri më 31 janar ka shpenzuar mbi 2220 litra derivate për veturë zyrtare.

Këto shpenzime ai kryesisht i ka bërë duke udhëtuar nga veriu i Mitrovicës.

“Në shtator ka shpenzuar 270 litra në vlerë prej 268.75 euro, në tetor ka shpenzuar 529 litra në vlerë prej 502.69 euro, në nëntor ka shpenzuar 502 litra në vlerë pre 489.24 euro, në dhjetor ka shpenzuar 503 litra në vlerë prej 520.05 euro dhe në janar të 2018 ka shpenzuar 417 litra në vlerë prej 438.93 euro. Pra në total për derivate, ministri Rikalo ka shpenzuar 2237.66 euro”, kanë thënë në Ministrinë e Bujqësisë për Telegrafin, pas kërkesës për qasje në dokumente publike.

Po ashtu Rikalo për të komunikuar me telefon mobil ka shpenzuar nga buxheti i Kosovës, më shumë se 158 euro.

“Shpenzimet e telefonisë mobile të regjistruar në emër të Nenad Rikalos dhe pagesat e realizuar në fund të muajit dhjetor 2017 dhe janar 2018, janë në total 158.39 euro”, kanë treguar në këtë ministri.

Por keq me shpenzime nuk ka mbetur as ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, ku për rreth pesë muaj ka shpenzuar për derivate të naftës mbi 1353euro.

“Në shtator Todosijeviq ka shpenzuar derivate të naftës në vlerë prej 189.01 euro, në tetor ka shpenzuar 270.02 euro, në nëntor ka shpenzuar 219.02 euro, në dhjetor ka shpenzuar 469.10 euro kurse në janar ka shpenzuar 206.03 euro. Pra në total ai ka shpenzuar për derivate të naftës me veturë zyrtare 1353.18 euro”, kanë treguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në këtë ministri kanë thënë se shpenzimet për derivate janë për shkak se Todosijeviq, ka udhëtuar nga Komuna e Zveçanit.

Kurse “keq me shpenzime” nuk ka mbetur as për të komunikuar me telefon mobil, ku për rreth pesë muaj ka shpenzuar mbi 700 euro.

“Në shtator Todosijeviq ka shpenzuar 133.49 euro, në tetor ka shpenzuar për telefon 149.57 euro, në nëntor ka shpenzuar 164.88 euro, në dhjetor ka shpenzuar 152.10 euro dhe në janar të vitit 2018 ka shpenzuar 107.29 euro. Pra në total ka shpenzuar për telefon mobil 707.33 euro”, kanë treguar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në total Rikalo e Todosijeviq kanë shpenzuar për derivate e telefon mobil nga buxheti i Kosovës, 4456.56 euro.

Javë më parë Telegrafi ka publikuar shpenzimet për derivate dhe telefon mobil për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe për zëvendëskryeministrat e Qeverisë.

Ndryshe drejtuesit e Listës Serbe, pas një takimi të martën me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë marrë vendim që të largohen nga Qeveria e Kosovës.