Në Varshavë është nënshkruar marrëveshja për sigurimet shoqërore mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, transmeton Anadolu.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj ka bërë të ditur në rrjetet sociale se së bashku me zëvendësministrin përgjegjës Sebastian Gajewski, finalizuan marrëveshjen në fjalë.
Sipas ministres Ibrahimaj kjo marrëveshje garanton mbrojtje dhe përfitime të ndërsjella për qytetarët shqiptarë dhe polakë në fushën e sigurimeve shoqërore.
“Marrëveshja garanton njohjen dhe totalizimin e periudhave të sigurimit, të drejtën për pension sipas moshës ligjore dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve që kanë jetuar apo punuar në të dy vendet. Çdo kontribut i paguar do të njihet dhe asnjë periudhë pune nuk do të humbasë”, ka theksuar Ibrahimaj.
Ajo ka theksuar ndër të tjera se kjo është marrëveshja e 11-të që Shqipëria ka me vendet e Bashkimit Evropian për njohjen e viteve të pensionit dhe e 17-ta në total me vende të tjera, duke zgjeruar sipas saj rrjetin e mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë.
Ibrahimaj e ka konsideruar marrëveshjen edhe një hap konkret në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore.
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Ibrahimaj dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilluan edhe një takim zyrtar me ministrin e Financave të Polonisë, Andrzej Domanski.
