Ballina Autorë Opinione Shqipëria drejt ndërtimit të një brand-i turistik ndërkombëtar

Shqipëria drejt ndërtimit të një brand-i turistik ndërkombëtar

Redi Shehu

Është karakteristikë e vendeve të vogla, dhe sidomos e vendeve të vogla problematike, që të kenë krizë të imazhit të vet kundrejt vendeve të tjera në arenën ndërkombëtare. Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë rast. Madje, Shqipëria është një përjashtim brenda përjashtimit, për arsye se jo vetëm që ajo ka problem me imazhin në rrethin e ngushtë të fqinjëve të saj, dhe në rrethin më të gjerë euroatlantik, por ajo ka një problem më specifik, i cili konsiston në imazhin që shqiptarët ia projektojnë vetes.Çështja e imazhit të një vendi varet nga dy faktorë të rëndësishëm: nga faktori i brendshëm dhe ai i jashtëm. Faktori i brendshëm që ndërton imazhin e një vendi, përbëhet nga institucionet qeverisëse, produktet e tregut, media dhe individët, të cilët përmes përditshmërisë së tyre ndërtojnë imazh.

Ndërsa faktori i jashtëm i mazhit përbëhet nga mënyra se si shpërfaqet jashtë ngrehina që faktori i brendshëm ndërton, e cila pastaj duhet të përthithet nga institucionet, mediat dhe individët e huaj për të ndërtuar opinionin rreth nesh dhe vendit tonë. Ndërveprimi i këtyre faktorëve do të përcaktonte edhe nivelin dhe cilësinë e imazhit tonë.Sa më harmonik të jetë ky ndërveprim, aq edhe më i suksesshëm është ndërtimi i një imazhi pozitiv ndaj të tjerëve. Dështimi në ndërtimin e këtij imazhi do të zanafillonte kur njëri nga faktorët nuk do të ishte në sintoni me tjetrin.

Rasti i Shqipërisë, si një përjashtim brenda përjashtimit, fatkeqësisht nuk karakterizohet nga harmonia e këtyre faktorëve, as edhe nga mungesa e njërit prej tyre, Shqipëria thjesht ka një problem me mosfunksionimin faktik të të dy faktorëve, ndaj edhe imazhi i saj është lënë në mëshirën e institucioneve, mediave dhe individëve të huaj, të cilët interpretojnë sipas rrethanave gjeopolitike imazhin tonë.Paaftësia jonë në standardizimin e produkteve politiko-administrative dhe produkteve kulturore, industriale dhe turistike, përfundon me paaftësinë e ndërtimit të një imazhi të unifikuar pozitiv për Shqipërinë. Në fakt, Shqipëria nuk ka një imazh pozitiv të unifikuar jashtë saj.

Pozitivitetet e imazhit të produkteve shqiptare janë pozitivitete të copëzuara në tipare dhe persona të veçantë ku përfshihen talente, shkrimtarë, artistë dhe së fundmi edhe Kombëtarja jonë, ndërkohë që imazhi negativ për Shqipërinë është i unifikuar në vetvete, është imazh negativ i homogjenizuar për konceptin e shqiptarit dhe Shqipërisë në përgjithësi, për shkak të hershmërisë së ngjarjeve dhe personave, të cilët në formë të përsëritur, gati-gati proceduriale, ndërtojnë suksesshëm shkatërrimin e pozitiviteteve shqiptare.Kështu, ky imazh i copëzuar i pozitivitetit tonë shpesh projektohet jashtë kontekstit shqiptar pikërisht për shkak të mungesës së produktit të brendshëm (po të kemi parasysh faktin se individët, si imazhe të copëzuara pozitive shqiptare, aktualizohen në një territor të huaj), i cili pastaj destinohet të na kthehet në boomerang. Ne jetojmë në epokën kur teknologjia i bën popujt dhe kulturat të ndërlidhura me njëratjetrën, por në të njëjtën kohë edhe të ndërvarura.

Jetojmë në kohën kur shkëmbimi ndërkulturor dominohet nga tregu, në këtë kontekst vendet më të pasura janë më të prirura të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtij shkëmbimi kulturor dhe vendet e varfra janë humbëset e tij. Edhe Shqipëria futet në vendet humbëse në betejën për imazh, sepse produktet e tregut si një ndër përcaktueset kryesore të imazhit të vendit, jo vetëm që nuk janë konkurruese, por ata thjesht nuk janë.Nuk janë në kuptimin e ndërtimit të brand-it shqiptar si veçanti apo tipar dallues. Prandaj kufizimi i produkteve të tregut është në të njëjtën kohë edhe kufizim i mazhit të Shqipërisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kufizimin apo deformimin e produkteve politiko-administrative, të cilat nuk kanë arritur të ndërtojnë përmes institucioneve normalitet dhe demokraci si produkt institucional. Në ndihmë të këtij mjedisi pesimist imazhi, vjen edhe perceptimi që kemi për veten, i imazhit që ne ia projektojmë vetvetes si shqiptarë, i cili përfundimisht është i injektuar nga një kulturë dhe kompleks inferioriteti.

Për këtë arsye, nuk është çudi të gjesh shumë prej nesh, për të mos thënë një masë kritike e jona, e cila ushqen veten me slogane paaftësie e pamundësie, që pastaj së bashku me mediat shqiptare, me gjuhë humori dhe shpesh servilizmi për të huajën ndaj nesh, nxjerrin një produkt horrori që pa e kuptuar ndoshta varros thellë e më thellë atë çka mund të ketë ngelur nga imazhi ynë. E nëse ajo çka thamë më sipër kishte të bënte me problemet e faktorit të brendshëm tonin në ndërtimin e imazhit të Shqipërisë, faktori i jashtëm është akoma më kompleks.Pasi kemi punuar zellshëm për të ndërtuar shkatërrimin e imazherisë sonë, vjen “i huaji”, “Tjetri”, i cili e përthith këtë imazh, e përpunon, pastaj e projekton në një kontekst tashmë global. Shpesh ky projektim është parë të jetë bërë duke përgjithësuar të metat, të cilat te çdo popull i gjen, në mënyrë që “i huaji” ta përkufizojë veten si superiori pikërisht përmes këtyre të metave të steriotipizuara të të voglit e të varfrit.

Ky përkufizim ka shërbyer shpesh edhe për ndërtimin e një linje ndarëse gjeografike imagjinare mes popujsh të civilizuar dhe atyre “të dënuar” të jenë të pacivilizuar, duke iu fshirë këtyre të fundmëve pothuaj çdo sukses e arritje dhe duke iu dhënë status emulativ dështimeve, këtë duke e projektuar si në botën e lajmit, po ashtu edhe të zbavitjes e spektaklit.Kështu, hegjemonia kulturore e “të madhit” dhe “të fortit”, e ndërtuar nga bashkimi dhe loja me detajet, e kthen pothuaj në një “detyrë” kontrollin ndaj “të voglit”, “të pacivilizuarit”. Në situatën kur ne, me anë të produkteve tona cilësore të imazhit, do të duhej të frenonim pikërisht karakterin hegjemonist që vjen nga “i madhi” dhe “i forti”, i cili është gjithmonë i prirur të imponojë dhe impostojë imazhin e vet mbi atë të kulturave “inferiore” për shkak të produkteve të shumëllojshme të tij, ne, shqiptarët, kemi luksin të ekstremizojmë sociologjikisht dhe politikisht hapësirën tonë publike duke ndihmuar në mosndërtimin e imazhit të unifikuar pozitiv për ne.

Media, e pastaj edhe individi, të thelluar në çarjen politike kanë meremetuar më shumë se çdo gjë tjetër përkatësinë dhe pozicionimin vetjak. Pra, mungesë totale e harmonizimit të të dy faktorëve, ku i jashtmi pa produktin e brendshëm, e ndërton vetë sipas prioriteteve të veta imazhin e munguar tonin. Emergjenca e përmirësimit të imazhit të Shqipërisë mendoj kuptohet duke u përqendruar në dy shtylla të rëndësishme, siç janë normaliteti social dhe konsolidimi institucional. Asnjëri prej tyre nuk arrihet nëse nuk ka të paktën një të besuar dhe një të kuptuar konsensual se cilat janë prioritetet e vendit jashtë retorikave dhe metaforave të pushtetit. Këtë vit, imazhi i Shqipërisë u përmirësua ndjeshëm nga turizmi i cili nuk ishte produkt i një brand-i të konsoliduar, por nga nevoja ekonomike e të huajit për turizëm më të leverdisshëm. Edhe pse nuk buroi nga vetë ne ky përmirësim imazhi, ne kemi rastin historik ta kapim këtë prirje të turistëve të huaj dhe ta kthejmë në motorin e shndërrimit të Shqipërisë në një brand ndërkombëtar.

 

 

Nga: Redi Shehu

Exit mobile version