Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shtëpia e Bardhë: Izraeli merr ende shumicën e armëve që i nevojiten

Shtëpia e Bardhë: Izraeli merr ende shumicën e armëve që i nevojiten

Këshilltari i Komunikimit për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar se “dërgesat e armëve për Izraelin kryhen ende dhe ata po marrin shumicën e çdo gjëje (armëve) për të mbrojtur veten”, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë për gazetarët në Washington, Kirby tha se të gjithë po flisnin për ndalimin e dërgesave të armëve.

“Dërgesat e armëve për Izraelin kryhen ende dhe ata po marrin shumicën e çdo gjëje (armëve) për të mbrojtur veten”, tha Kirby, duke theksuar se ata kanë premtuar të shpenzojnë çdo qindarkë që marrin përmes kërkesave shtesë nga Kongresi për të siguruar aftësitë që ka nevojë Izraeli dhe se ata do të vazhdojnë këtë premtim.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, në konferencën e përditshme për media kujtoi se SHBA-ja ka dhënë miliarda dollarë ndihmë për sigurinë për Izraelin dhe në lidhje me dërgesat e armëve që u ndalën javën e kaluar tha se “aktualisht jemi duke shqyrtuar një ndihmë afatshkurtër të sigurisë”.

– Administrata e presidentit Biden kundër sulmit gjithëpërfshirës ndaj qytetit Rafah

Dje, presidenti amerikan, Joe Biden, në një intervistë për CNN tha se nëse Izraeli hyn në Rafah me një sulm në shkallë të gjerë, ai do të ndalojë dërgimin e armëve në këtë vend.

“Nëse ata hyjnë në Rafah… nuk kanë hyrë ende (me një sulm gjithëpërfshirës). Nëse hyjnë, atëherë e kam thënë në mënyrë të qartë se nuk do të dërgoj armët që përdoren në Rafah dhe në qytete të tjera”, shprehu Biden.

Administrata e presidentit Biden kundërshton çdo sulm gjithëpërfshirës tokësor të Izraelit që nuk përfshin një plan realist për të mbrojtur civilët në Rafah, me shqetësimin se do të shkaktojë vdekjen e më shumë civilëve dhe përshkallëzimin e krizës humanitare.

Exit mobile version