Estonia, Letonia dhe Lituania kanë rënë dakord të krijojnë një Zonë Baltike të Lëvizshmërisë Ushtarake (MMA), me synimin për të lehtësuar kufizimet në kohë paqeje dhe për të mundësuar lëvizje më të shpejtë të trupave dhe pajisjeve nëpër tre vendet, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë estoneze të lajmeve ERR, ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, nënshkroi një deklaratë të përbashkët qëllimi në Tallinn me homologët e tij nga Letonia dhe Lituania, Andris Spruds dhe Robertas Kaunas, duke formalizuar planet për këtë iniciativë rajonale.
MMA përshkruhet si një ekuivalent ushtarak i Zonës Shengen të BE-së, e projektuar për të reduktuar burokracinë dhe për të harmonizuar procedurat që aktualisht ngadalësojnë lëvizjen ndërkufitare të forcave të armatosura, përfshirë aleatët e NATO-s.
“Qëllimi i ‘Shengenit ushtarak’ është që të mos ketë burokraci apo dokumentacion që duhet përfunduar kur ushtritë lëvizin nga një vend evropian në tjetrin”, tha Pevkur në një konferencë të përbashkët për media, duke theksuar se procedurat ekzistuese mund t’i vonojnë lëvizjet për muaj të tërë.
Ministri lituanez Kaunas, nga ana e tij, tha se nisma do të ketë përfitime praktike operacionale, duke u mundësuar forcave dhe pajisjeve të lëvizin me shpejtësi aty ku nevojiten në të gjithë rajonin.
“Në kohë krize, çdo orë ka rëndësi, ndërsa burokracia dhe kufijtë mund të ngadalësojnë mbrojtjen dhe parandalimin tonë”, tha ai.
Ndërkaq, ministri letonez Spruds theksoi shtrirjen më të gjerë të projektit, duke shtuar se zona e lëvizshmërisë do të mbulojë fushat tokësore, detare, ajrore dhe kibernetike.
Ministrat e tre vendeve baltike theksuan se nisma do të zbatohet në kohë paqeje dhe synon të përmirësojë gatishmërinë dhe parandalimin, ndërsa njëkohësisht do të kontribuojë në diskutimet për një kornizë më të gjerë evropiane të lëvizshmërisë ushtarake për të forcuar krahun lindor të NATO-s.
