Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paraqitur një deklaratë zyrtare ndërhyrjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të mbështetur Izraelin në çështjen që e akuzon për gjenocid gjatë luftës në Rripin e Gazës.
Sipas gjykatës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me seli në Hagë të Holandës, Uashingtoni paraqiti një “deklaratë ndërhyrjeje” në procesin gjyqësor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit.
Në dokumentin e dorëzuar të premten, Shtetet e Bashkuara theksuan se akuzat për “gjenocid” ndaj Izraelit janë të pavërteta dhe hodhën poshtë pretendimet e ngritura në padi.
Padia u paraqit nga Afrika e Jugut në dhjetor të vitit 2023, duke argumentuar se lufta e Izraelit në Gaza ka shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit të vitit 1948 të Kombeve të Bashkuara.
Që nga paraqitja e çështjes, më shumë se një duzinë shtetesh kanë kërkuar të marrin pjesë në proces, duke paraqitur qëndrimet e tyre para gjykatës, ndërsa disa prej tyre kanë shprehur mbështetje për padinë e Afrikës së Jugut.
Gjyqtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë nxjerrë më herët edhe masa emergjente, duke urdhëruar Izraelin të ndërmarrë hapa për të parandaluar veprime që mund të përbëjnë gjenocid dhe të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.
Megjithatë, edhe pse vendimet e gjykatës janë ligjërisht detyruese, ajo nuk ka mekanizma të drejtpërdrejtë për t’i zbatuar ato.
Sipas autoriteteve palestineze, lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar më shumë se 72 mijë viktima palestineze. Edhe pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 10 tetor 2025, raportohen qindra të vrarë dhe të plagosur nga sulmet e mëvonshme. /mesazhi
