Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si askund tjetër, klerikët fetar boshnjakë u ndalin në ndihmë të përdhunuarave...

Si askund tjetër, klerikët fetar boshnjakë u ndalin në ndihmë të përdhunuarave të luftës

Liderët e komuniteteve ortodokse, islamike, hebreje dhe katolike nënshkruan një peticion duke dënuar stigmatizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit ndërsa Këshilli Ndërfetar i Bosnjës vazhdon përpjekjet e tij për të promovuar pajtim.

 Nëse historia e Ballkanit do të kishte një kolonë zanore, ajo do të kishte tingujt që vinin nga Teatri Kombëtar në Sarajevë të enjten në mbrëmje.

Këngë fetare të besimeve islamike, ortodokse, katolike dhe hebreje rridhnin përmes dhomës së madhe të artë, pasi liderët e katër komuniteteve fetare u mblodhën për të shënuar 20 vjet që nga themelimi i Këshillit Ndërfetar të Bosnjës duke nënshkruar Deklaratën për Denoncimin e Stigmatizimit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Konfliktit.

“Ajo që thuhet shpesh harrohet. Por ajo që shkruhet mbetet edhe për brezat e ardhshëm. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se kjo deklaratë, ndërkohë që nuk do të zgjidhë të gjitha problemet tona, do të na ndihmojë të shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe të përpiqemi të ndreqim plagët e atyre që kanë vuajtur në luftën e kaluar,” tha Jakob Finci kreu i komunitetit herbre dhe një nga themeluesit e Këshillit, në një konference për shtyp më herët atë ditë.

Zv/kryemyftiu i komunitetit islam, Husein Smajiç, tha se Këshilli i kishte dhënë një platformë grave për të folur për dhunën që kishin përjetuar, si gjatë luftës së viteve 1992-1995 ashtu edhe në periudhën e pasluftës.

“Ne duam që kjo stigmë të mos ekzistojë në të gjithë brezat e ardhshëm, duke treguar histori të ngjarjeve të tmerrshme që ndodhën këtu,” shpjegoi ai.

Përdhunimi u përdor si armë gjatë konfliktit në Bosnjë. Kombet e Bashkuara vlerëson se rreth 50,000 njerëz u përdhunuan – gjithmonë nga autorë që i përkisnin një grupi tjetër etnik apo feje tjetër me viktimën.

Pas performancave nga koret vendas ortodoks, hebre, islamik dhe katolik, eventi i të enjtes u përmbyll me nënshkrimin e deklaratës.

Pramila Patten, Përfaqësuesja Speciale e OKB-së për Dhunën Seksuale gjatë Konfliktit, e mirëpriti këtë nismë.

“Përdhunimi është një armë mizore që është po aq shkatërrimtare sa çdo plumb apo bombë. Ajo shkatërron viktimat dhe familjet e tyre. Ajo shkatërron komunitetet dhe dëmton shanset e tyre për pajtim, nëse lihen të pa trajtuara. Ai është përshkruar gjithashtu si krimi më i vjetër dhe ende më pak i dënuar nga të gjithë,” tha Patten.

Tanya Domi, ndihmëse profesoreshë e çështjeve ndërkombëtare dhe publike në Institutin Harriman në Universitetin e Kolumbisë, që ka ndjekur situatën e të drejtave të njeriut në Ballkan për më shumë se dy dekada, lavdëroi gjithashtu qëndrimin e Këshillit.

“Mendoj se është një hap i madh para t mblidhemi së bashku në të gjithë rajonin për të përparuar respektin dhe dinjitetin për njerëzit që kanë pësuar tortura. Sidomos çështja e dhunës seksuale është një çështje dhe një krim i egër për të cilin Bosnja është shumë e njohur,” tha Domi për BIRN.

“Shumë gra vuajtën dhe tani e dimë që edhe shumë meshkuj kanë vuajtur gjithashtu nga ky krim. Shumë prej këtyre viktimave janë izoluar dhe shmangen nga familjet dhe komunitetet e tyre,” tha ajo.

Domi tha se beson se nëse liderët fetarë flasin dhe i përkrahin viktimat, kjo mund të promovojë pajtim.

“Ne do të duhet të shikojmë sesi ata planifikojnë të vazhdojnë me këtë marrëveshje. Çfarë do të bëjnë ata dhe si do të takohen me viktimat dhe familjet e komunitetet e tyre,” tha ajo.

Shumë fe të ndryshme

Deklarata është e para e këtij lloji në botë. Por kjo nuk është asgjë e re për Sarajevën – qyteti është një përcaktues trendesh të reja.

Njëzet vjet më parë, aty lindi këshillin e parë kombëtar ndërfetar në botë.

Tashmë kishte ardhur koha. Bosnja dhe Hercegovina ka qenë një përzierje fesh për shekuj me radhë. Ndërsa pushtuesit erdhën dhe ikën, secili la pas pak nga kultura dhe besimi i tij.

Katolicizmi romak arriti në Bosnjë më shumë se 1,000 vjet më parë dhe me kalimin e kohës nxori jashtë paganizmin. Megjithatë, feja e re shpesh keqkuptohej dhe në disa vende u rrit në një fe të re të quajtur Kisha Boshnjake, të cilën Vatikani e shpalli atëherë herezi.

Rendi françeskan u dërgua për ta ndrequr atë dhe dy fetë bashkë-ekzistuan për një periudhë kohe.

Me ardhjen e Perandorisë Osmane në shekullin e 15, Islami dhe Ortodoksia Lindore filluan të përhapen ngadalë – duke krijuar një përzierje prej katër fesh që bashkë-ekzistuan edhe gjatë kohëve më të errëta të inkuizicionit katolik që dominoi Europën e Mesjetës.

Shumëllojshmëria fetare dhe toleranca e krahinës lindore osmane të Bosnjës tërhoqën hebrenj nga Spanja, por edhe nga mbarë Europa, që i largoheshin persekutimit fetar.

Në shekullin e 16-të, Bosnja dhe Hercegovina tashmë ishte një vend me pesë fe të ndryshme – megjithatë, me Kishën Boshnjake që tashmë po vdiste.

Në periudhat e trazuara që pasuan, popullsia e Bosnjës filloi të mbështetej tek aleatët nga jashtë, duke e mbështetur besnikërinë e tyre te feja. Gjatë 200 viteve të fundit ajo besnikëri u rrit në ndërtimin e kombit, duke i dhënë Bosnjës përzierjen e saj etnike që ka sot: serbët e Bosnjës, boshnjakët, kroatët e Bosnjës dhe një grup hebrenjsh që mbijetuan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë, etnia dhe feja ishin në qendër të konfliktit, kështu që në vitin 1997 liderët fetarë u ulën dhe arritën në përfundimin se ata duhet të rinisnin sistemin dhe t’u tregonin njerëzve të tyre se ata mund të bashkëjetojnë.

“Që nga krijimi ynë, qëllimi ynë më i madh ishte pajtimi. Në këto 20 vite kemi synuar të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie civile me gjënë më të mirë që ajo ka – dialogu ndërfetar. Nuk ka alternativë për dialog,” tha kardinali katolik i Bosnjës Vinko Puljiç, një tjetër themelues i Këshillit.

“Sot në botë ka shumë këshilla ndërfetare dhe i pari që përmendet ndonjëherë ishte në vitin 1997, kur ne u themeluam,” tha në konferencë peshkopi ortodoks serb Vladika Grigorije, kreu aktual i Këshillit Ndërfetar.

“Njerëz nga e gjithë bota kanë ardhur në këto dhoma dhe ajo që është më interesante është se ata nuk po vijnë vetëm për të treguar idetë e tyre, por edhe të kërkojnë këshilla nga eksperiencat tona nga ato që ne kemi mësuar nga njëri-tjetri në 20 vitet e fundit,” tha ai.

Më shumë ngjashmëri sesa dallime

Sot Këshilli ka 15 komitete në të gjithë vendin – në Bihac, Bjeljina, Banja Luka, Bugonjo, District Brcko, Doboj, Foca, Gorazde, Livno, Novi Travnik, Orasje, Tuzla, Zenica, Zepce dhe Trebinje.

Këshilli ka punuar në më shumë se 100 projekte, tha Smajiç – njëri prej tyre është monitorimi i sulmeve ndaj institucioneve fetare.

“Me punën tonë deri më tani, ne kemi arritur të ulim sulmet ndaj institucioneve fetare me më shumë se 50 për qind dhe jemi krenar për këtë,” tha Smajiç.

Qëllimi përfundimtar është që sulme të tilla të trajtohen si vepra penale, jo si kundërvajtje, shtoi ai.

Këshilli gjithashtu ka organizuar ditë të hapura në institucionet fetare.

“Është e rëndësishme për ne që të gjithë priftërinjtë dhe imamët tanë të hyjnë në xhami dhe kisha, që të sjellim studentët tanë nga universitete të ndryshme dhe qytetarët tanë, në mënyrë që ata të krijojnë një ide të mirë të institucioneve tona dhe çfarë ndodh dhe çfarë po flitet atje,” tha Smajiç.

Në shkurt, Këshilli organizoi gjithashtu një event në të cilin katër liderë fetarë folën kundër nacionalizmit, mes tensioneve që rriteshin në vend në atë kohë.

Në prill, të katër liderët vizituan gjithashtu disa vende ku u kryen mizori kundër anëtarëve të të gjitha komuniteteve të tyre, duke u lutur bashkë dhe duke respektuar viktimat “e njëri-tjetrit”.

“Shpresoj t’i kemi frymëzuar sadopak liderët tanë politikë që të ndjekin hapat tanë,” tha Finci për vizitat.

Ai tha gjithashtu se shpresonte që puna e Këshillit të mund të promovonte pajtimin e pas luftës.

“Shumë njerëz e panë luftën në Bosnjë si një luftë fetare. Ne e dimë që nuk ishte kështu. Ne gjithashtu e dimë se në të njëjtën mënyrë që feja dhe besimi janë fajësuar për gjëra, ajo mund të përdoret gjithashtu për të ngritur marrëdhënie më të mira midis të gjithë nesh, pasi jemi fëmijë të të njëjtës Perëndi,” tha ai.

“Ne kemi shumë më tepër të përbashkëta se sa kemi dallime. Megjithatë, ne nuk i theksojmë kurrë këto ngjashmëri, por vetëm dallimet,” shtoi ai. /Kallxo.com/Igor Spaiq, BIRN/

Exit mobile version