Klasa politike aktuale në Uashington si peng i sionistëve, brezi i ri i amerikanëve dhe zgjimi i tyre politik
Nga Hakkı Öcal, Daily Sabah
Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përfshihen gjithnjë e më thellë në luftën midis Izraelit dhe Iranit, kritikët po nisin të vënë në dyshim nëse ky angazhim i shërben vërtet interesave kombëtare amerikane.
Analistët sugjerojnë se Amerika nuk hyri në këtë konflikt me vullnet të plotë, por u “ngatërrua” në të përmes presioneve politike dhe autoritetit të huaj, duke lënë mënjanë logjikën e ftohtë të sigurisë kombëtare.
Një element shqetësues që ngrihet në këtë diskutim, është mundësia e shantazhit ndaj figurave të larta shtetërore. Përmendja e “Dosjeve Epstein” dhe fotove të pretenduara të Donald Trump në ishullin famëkeq, sugjeron se vendimet strategjike mund të jenë ndikuar nga frika e skandaleve personale.
Kjo ngre pyetjen nëse politika e jashtme e fuqisë më të madhe botërore, po diktohet nga interesi publik apo nga dobësitë individuale të liderëve. Administrata Trump duket se ka rënë në një “kurth” strategjik të ngritur nga Benjamin Netanyahu.
Ndryshe nga administrata Biden që refuzoi përfshirjen direkte në një luftë me Iranin, ekipi aktual ka ndjekur një rrugë më agresive. Trump po shihet si presidenti i parë që ka rënë në këtë plan jo një herë, por dy herë, duke e zhytur vendin në një konflikt që duket se nuk ka një rrugëdalje të qartë apo fitore të lehtë.
Për të realizuar këtë kthesë ushtarake, Trumpit iu desh të eliminonte pengesat e brendshme brenda Pentagonit. Shkarkimi i Gjeneralit Charles Broën, i cili kundërshtonte tërheqjen e forcave të armatosura në një luftë pa interes kombëtar, shënoi një pikë kthyese.
Zëvendësimi i tij me figura më besnike, lejoi që vullneti i Netanyahut të përkthehej në veprime konkrete ushtarake amerikane në terrenin e Lindjes së Mesme. Arsyetimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ishte se sulmi ndaj Iranit do të parandalonte goditjet ndaj aseteve amerikane dhe do të sillte ndryshim regjimi.
Megjithatë, ky supozim doli i pasaktë. Ashtu si në rastin e Gazës, ku rezistenca palestineze ishte e paparashikuar, edhe në Iran popullsia nuk reagoi sipas skenarit të parashikuar nga Izraeli, duke e lënë SHBA-në të mbërthyer në një luftë të stërgjatur.
Sot, aleanca SHBA-Izrael, po shihet gjithnjë e më shumë si një marrëdhënie që i kushton Amerikës moralisht dhe financiarisht. Mentaliteti i luftës totalitare i përdorur në Gazë, i cili synon shkatërrimin dhe zhvendosjen, po aplikohet tani ndaj Iranit dhe Libanit.
Kjo qasje e ka dëmtuar rëndë imazhin ndërkombëtar të SHBA-së, dhe e ka izoluar atë nga aleatët tradicionalë që kërkojnë respektimin e ligjit. Zgjidhja e kësaj krize nuk duket se do të vijë nga elita aktuale politike, e cila është e lidhur pas lobit të AIPAC-ut dhe interesave të ngushta financiare.
Netanyahu dhe Trump, janë tani të angazhuar në një luftë të dëshpëruar kryesisht për të shpëtuar imazhin e tyre personal, pa marrë parasysh pasojat shkatërruese dhe jetët e ushtarëve që po sakrifikohen.Në fund, shpresat për ndryshim mbeten te brezi i ri i amerikanëve dhe zgjimi i tyre politik.
Janë të rinjtë, ata që mund të ushtrojnë presionin e nevojshëm për të shkëputur këtë aleancë “të pabesë” dhe për të rikthyer një politikë të jashtme amerikane që bazohet te paqja dhe interesat e vërteta të qytetarëve, duke i dhënë fund aventurave ushtarake të diktuara nga axhendat e jashtme. /tesheshi
