Siri, 5 të vdekur nga një shpërthim i fuqishëm në Idlib

Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në një shpërthim të fuqishëm në provincën e Idlibit, në veriperëndim të Sirisë, transmeton Anadolu.

Ngjarja ka ndodhur në qytezën Kefertaharim, në veri të Idlibit, ku është dëgjuar një zë i fortë shpërthimi, shkaku i të cilit ende nuk dihet. Pas shpërthimit, nga zona është ngritur tym i dendur. Në vendngjarje janë dërguar ekipet e mbrojtjes civile.

Sipas një lajmi të transmetuar nga televizioni shtetëror sirian “Al-Ikhbariyah”, në shpërthim kanë humbur jetën pesë civilë.

Në lajm u theksua se ekipet vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit nën rrënoja.