
Siria zhvilloi të dielën zgjedhjet e para parlamentare që prej rrëzimit të Bashar al-Assadit, duke shënuar një moment historik në tranzicionin e vendit pas gati 14 vjetësh lufte.
Nga 210 ulëse në Asamblenë e Popullit, 140 po zgjidhen nga kolegje elektorale në 60 rajone, ndërsa 70 do t’i emërojë drejtpërdrejt presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa.
Procesi është kritikuar si jo demokratik, pasi qytetarët nuk votojnë drejtpërdrejt dhe shumica e kandidatëve janë të pavarur, pa parti politike të regjistruara. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se sistemi i jep al-Sharaa-s kontroll të plotë mbi parlamentin e ri.
Zgjedhjet në provincat Suwayda dhe në verilindje të kontrolluar nga forcat kurde janë shtyrë për shkak të tensioneve. Sipas analistëve, mungesa e dokumenteve dhe zhvendosja e miliona sirianëve e bën të pamundur organizimin e votimeve të përgjithshme për momentin.
Asambleja e re do të ketë mandat 30-mujor dhe pritet të përgatisë terrenin për zgjedhje të drejtpërdrejta në të ardhmen. /mesazhi







