Autoritetet siriane kanë nisur një operacion sigurie kundër qelizave të grupit terrorist ISIS (DAESH) në zonat rurale të provincës Homs, pas një sulmi që la të vrarë tre amerikanë pranë qytetit antik të Palmyrës.
Sipas televizionit shtetëror Alikhbariya, operacioni u zhvillua të dielën dhe erdhi si përgjigje ndaj një sulmi që shënjestroi një patrullë të përbashkët siriano-amerikane pranë Palmyrës të shtunën. Operacioni është përqendruar në zonat Furqlus, al-Qaryatayn dhe rajonet përreth shkretëtirës së Homsit, ku dyshohet se veprojnë qeliza të fjetura të ISIS-it.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se në pritë u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një civil, ndërsa tre ushtarakë të tjerë u plagosën.
Forcat amerikane veprojnë në Siri në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, i formuar në vitin 2014 nën udhëheqjen e SHBA-së. Siria iu bashkua këtij koalicioni më 12 nëntor 2025.
Që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024, administrata e re siriane ka deklaruar se po punon për rikthimin e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë vendin. /mesazhi
