
Mediat izraelite raportojnë për ndryshime të minutës së fundit në listën e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, pas kërkesave nga Hamas për ta rishikuar atë.
Sipas burimeve, Hamasi i ka kërkuar Izraelit të heqë dy emra nga lista, pasi njëri prej tyre nuk është anëtar i grupit dhe tjetri është liruar më parë. Ndërkohë, janë bërë edhe ndryshime të vogla në listën e të ndaluarve nga Gaza që mbahen që prej 7 tetorit 2023 – janë hequr shtatë të mitur, ndërsa janë shtuar dy gra dhe disa emra të tjerë janë zëvendësuar me persona nga e njëjta kategori.
Raportohet se situata është e ndërlikuar dhe në ndryshim të vazhdueshëm.
Media palestineze njoftojnë gjithashtu se Hamasi po kërkon përfshirjen e doktor Hussam Abu Safia, pediatër nga veriu i Gazës dhe drejtor i spitalit “Kamal Adwan”, i cili ka qenë nën rrethim të përsëritur gjatë luftës.
Dr. Abu Safia u bë i njohur përmes publikimeve të tij në rrjetet sociale, ku denonconte sulmet ndaj spitaleve. Djali i tij u vra në një sulm izraelit në tetor të vitit të kaluar, ndërsa ai vetë u arrestua disa muaj më vonë. Ai gëzon mbështetje të gjerë në mesin e palestinezëve, dhe ende nuk dihet nëse do të përfshihet në listën e lirimeve. /mesazhi





