Ballina Lajmet Kosovë Situatë e rëndë e COVID-19 në Luginë, shqiptarët u frikësohen spitaleve serbe...

Situatë e rëndë e COVID-19 në Luginë, shqiptarët u frikësohen spitaleve serbe – ia mësyjnë Kosovës për trajtim

Në komunën e Preshevës dhe atë të Bujanocit, tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit.

Numri i madh i infektimeve me koronavirus gjatë muajit nëntor ka bërë që autoritetet në Komunën e Preshevës dhe të Bujanocit të shpallin situatë të jashtëzakonshme.

Që nga fillimi i këtij muaji në Preshevë e Bujanoc janë rreth 270 raste të reja me koronavirus dhe rreth 15 viktima nga ky virus.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, ka bërë të ditur për lajmi.net, se aktualisht për shkak të situatës së jashtëzakonshme që është shpallur nga vetë ai si komandant i shtabit të krizave, tashmë është mbyllur shkolla e mesme “Sezai Surroi” dhe mësimi është duke vazhduar online.

Arifi ka bërë të ditur për lajmi.net, se janë mbi 120 të infektuar dhe mbi 10 të vdekur vetëm brenda këtij muaji në komunën e Bujanocit.

“Sa i përket situatës me pandeminë COVID-19 në Bujanoc, situata aspak nuk është e mirë gjatë muajit nëntor. Deri në ditën e sotme kemi diku mbi 120 të infektuar dhe mbi 10 të vdekur për fat të keq. Ne më 20 nëntor kemi shpallur situatë të jashtëzakonshme dhe kemi ndaluar të zhvillohet mësimi në shkollën e mesme “Sezai Surroi”, ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe. Ka filluar të zhvillohet mësimi online. Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Serbisë në moment kur shtabi për situata të jashtëzakonshme propozon që të shpallet situata e jashtëzakonshme, kryetari i komunës si komandant i shtabit, ka të drejtë të ndërroj dhe të merr masa konkrete të cilat ndoshta janë më drastike se në nivelin republikan, kështu që kam aprovuar masën që në shkollën “Sezai Surroi” të ndërpritet mësimi”, ka treguar Arifi për lajmi.net.

I pyetur nga lajmi.net, se a ka më shumë viktimave dhe raste të reja ndër shqiptarët, Arifi ka thënë se, fatkeqësisht numri më i madh është nga shqiptarë marrë parasysh faktin që në Bujanoc shumica e popullësisë është shqiptare.

“Do me thënë, për fat të keq në komunën tonë është një situatë e jashtëzakonshme. Statistikat në bazë të etnisë nuk i kemi ndarë sepse të gjithë janë qytetarë të komunës së Bujanocit dhe shëndeti është mbi të gjitha, por për fat të keq ka më shumë shqiptar sepse popullata është më shumë shqiptare në komunën tonë”, ka deklaruar Arifi.

Për shkak të kësaj situate, tashmë kanë hyrë masa të reja në fuqi edhe nga Qeveria e Serbisë, ku pas orës 21:00 do të funksionojnë vetëm barnatoret dhe pikat e karburantit kurse gastronomia do të mbyllet në ora 18:00.

“Po ashtu që nga dita e sotme fillon një masë e re ku të gjitha lokalet, restorantet dhe gastronomia kanë të drejtë të punojnë deri në orën 18:00, kurse lokalet të cilat merren me tregti ushqimore kanë të drejtë të punojnë deri në ora 21:00, kurse pas orës 21:00 janë të lejueshme vetëm barnatoret dhe pompat e derivateve”, shpjegoi Arifi.

Sa i përket testimeve, Arifi ka bërë apel tek shqiptarët në Bujanoc që të mos ngurojnë dhe të bëjnë testime në Shtëpinë e Shëndetit në këtë qytet, pasi siç theksoi ai, ka teste të mjaftueshme.

Sipas Arifit, situata me koronavirus është rënduar edhe më shumë pasi që banorët e komunës së Bujanocit, pra shqiptarët po ngurrojnë të shkojnë të testohen dhe po mjekohen në shtëpitë e tyre.

“Kemi kërkuar, por ka teste të mjaftueshme këtu në shtëpinë e shëndet, është një e mirë që edhe shfrytëzoj rastin që përmes juve të bëj apel te popullata shqiptare që të bëjnë testimin se a janë të infektuar me COVID-19 apo jo, sepse për fat të keq ende ngurrojnë, ende bëjnë mjekimin nëpër në shtëpi pa analiza dhe pa përkujdesje mjekësore. Kështu që të gjithë ata të cilët shohin apo vërejnë ndonjë shenjë të koronavirusit, është mirë që të bëjnë analiza sepse para së gjithash është për shëndetin e tyre, familjes por edhe të rrethit më të gjerë. Në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc bëhen të gjitha analizat për COVID-19, pra edhe PCR edhe serologjik”, theksoi Arifi për lajmi.net.

Situatë edhe më e rënduar është në Komunën e Preshevës, ku vetëm në muajin nëntor janë regjistruar 149 raste të reja me koronavirus, nga 287 sa janë gjithsej që nga muaji korrik.

Kështu ka bërë të ditur për lajmi.net, Driton Salihu, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në komunën e Preshevës.

Sipas Salihut, sidomos në 10 ditët e fundit është përkeqësuar edhe më shumë situata me pandeminë COVID-19, ku vetëm të hënën 27 persona kanë rezultuar pozitivë me këtë virus dhe siç theksoi Salihu, në Preshevë janë duke u bërë edhe testet anti-gjen.

“Situata në këto 10 ditët e fundit është rënduar goxha shumë, është rritur edhe numri i pacientëve që po vinë në kontroll e që po kërkojnë ndihmë për shkak se kanë ndonjë simptomë të koronavirusit. Vetëm mbrëmë i kemi pasur 97 pacientë që kanë kërkuar ndihmë në Covid-ambulancë. Edhe ne që nga dita e djeshme kemi filluar të përdorim testet anti-gjene, për herë të parë këto teste janë duke u përdorur në Serbi edhe na kanë sjellë neve në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Këto teste po përdoren në vend të elisa teste, do me thënë tash po përdorim testet anti-gjen, do me thënë në qoftë se vjen pacienti dhe ka pasqyrë klinike të rëndë edhe del negativ me këtë test, atëherë udhëzohet që ta bëj testin PCR, sepse PCR prapë mbetet testimi definitiv për ta konfirmuar nëse një pacientë është me COVID-19 apo jo. Mirëpo nëse edhe me testin anti-gjen del pozitiv, atëherë pacienti është i konfirmuar se është i infektuar me koronavirus. Dhe kjo është arsyeja përse në Preshevë është rritur numri i të infektuarve, për shkak të testimeve që janë bërë. Vetëm gjatë ditës së djeshme (hënë), kanë qenë 27 qytetarë që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus nga 63 sa i kemi testuar gjithsej. Është rritur edhe numri i hospitalizimeve”, ka treguar Salihu për lajmi.net.

Mirëpo sa i përket numrit të përgjithshëm, Salihu thotë se që nga korriku e deri më 23 nëntor në Preshevë janë 287 raste të konfirmuara me koronavirus, por vetëm gjatë muajit nëntor janë regjistruar 149 raste të reja.

Sipas Salihut, zyrtarisht në këtë komunë kanë ndërruar jetë pesë persona të cilët kanë qenë të prekur me koronavirus, por që sipas tij, këto shifra mund të jenë edhe më të larta pasi që siç theksoi Salihu për lajmi.net, autoritetet serbe nuk i japin komunave të dhëna për pacientët që ndërrojnë jetë nëpër spitale. Ai ka treguar për lajmi.net, se vetëm pas kërkesës zyrtare të tyre kanë arritur që të marrin përgjigje se në Spitalin e Vranjës kanë qenë pesë pacientë nga Presheva që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

“Gjithsej numri i të infektuarve me koronavirus që nga muaji korrik e deri dje është, 287, por vetëm në muajin nëntor i kemi 149 raste të reja. Sa i përket rasteve të vdekjeve, ne zyrtarisht nuk i marrim të dhënat, sepse ka pacientë që ndërrojnë jetë në Vranjë, në Nish apo në Surdulicë edhe ne nuk i kemi shifrat zyrtare. Shifrat e fundit zyrtare që i kemi marrë prej Nishit me kërkesë tonë, në Nish nga 1 nëntori e deri më 18 nëntor kanë ndërruar jetë 5 pacientë, pra këto janë të dhënat zyrtare që i kemi. Do me thënë për 18 ditë pesë pacientë kanë ndërruar jetë të cilët zyrtarisht kanë qenë të prekur me koronavirus. Për pikat e tjera nuk kemi shifra sepse nuk i publikojnë, nuk na japin neve të dhënat dhe jo vetëm neve por askujt në asnjë komunë nuk i japin të dhënat, vetëm e publikojnë numrin e viktimave brenda 24 orëve. Ne si komunë nuk kemi raport ditor ose javor të pacientëve nga Presheva që ndërrojnë jetë nëpër spitale. Në muajin mars, prill e maj, Presheva nuk ka pasur asnjë rast, pasi që në njëfarë mënyre ne kemi qenë të izoluar, pasi që kufijtë me Kosovën e Maqedoninë e Veriut kanë qenë të mbyllur. Prej korrikut gati se çdo muaj i kemi pasur nga 30 deri në 40 pacientë të infektuar me koronavirus. Mirëpo në muajin nëntor kemi pasur raste shumë më shumë se muajt e tjerë, do me thënë më shumë se gjysma e rasteve të reja janë regjistruar vetëm këtë muaj”, tregoi Salihu për lajmi.net.

Sipas tij, edhe më shumë e vështirëson situatën transporti, pasi që në Shtëpinë e Shëndetit autoambulancat janë të vjetruara dhe ka pesë vite që asnjë autoambulancë e re nuk është sjellë nga Ministria e Shëndetësisë apo edhe nga ndonjë donator i huaj.

“Çdo ditë minimumi nga tre pacientë i transportojmë për në Vranjë apo Surdulicë ose atyre që iu përkeqësohet gjendja na thirrin neve që t’i transportojmë në Nish. Ne me vetura me autoambulanca i kemi punët keq. Në pesë vitet e fundit nuk kemi marrë asnjë autoambulancë të re as nga ministria apo ndonjë donacion i organizatave të huaja. Do të thotë kemi shumë nevojë për autoambulanca. Kërkesat tona nuk janë ndalë. Unë kam kontaktuar edhe me presidentin Vuçiq edhe me kryeministren Bërnabiq, edhe Ministrisë së Shëndetësisë, iu kam drejtuar edhe Shtabit të Krizave për luftën kundër koronavirusit që është selia për Serbinë Jugore në Nish, që së paku të na ndihmojnë me një autoambulancë sepse me të vërtetë kemi nevojë, sepse përveç pacientëve me koronavirus kemi edhe pacientë të tjerë që kanë nevojë. Në Serbi tashmë i kanë reduktuar shumë operacionet përveç atyre rasteve urgjente. Ne kemi edhe pacientë të tjerë që i transportojmë për në Nish apo Beograd, e nuk janë vetëm pacientët me koronavirus, sepse ne nuk mund t’i lëmë pas dore pacientët e tjerë që nuk janë të prekur me kronavirus, por që kanë urgjenca të tjera”, ka thënë Salihu.

Njësoj sikurse në Bujanoc edhe në Komunën e Preshevës tashmë është shpallur situatë e jashtëzakonshme për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus.

Salihu ka thënë se edhe në këtë qytet nga sot hyjnë në fuqi edhe masat që ka marrë Qeveria e Serbisë dhe se tani e tutje, kushdo që del pa maska do të ndëshkohet pasi që edhe në të kaluarën maska ka qenë obligim mirëpo nuk është respektuar aq shumë, por që siç theksoi ai, tani e tutje kushdo që nuk vendos maskë në ambiente të mbyllura dhe ato të hapura ku nuk ka mundësi të mbajtjes së distancës, do të pasojnë dënimet.

“Presheva ka shpallur situatën e jashtëzakonshme qysh para një jave. Do të thotë lokalet janë të mbyllura, gastronomia është e mbyllur, janë të mbyllura që nga ora 18:00. Në Serbi tashmë sot hyn në fuqi masat e reja në fuqi, ku nga ora 18:00 në tërë Serbinë nuk do të punojnë lokalet e gastronomisë pas orës 18:00, maskat do të jenë të obligueshme edhe pse ka qenë ky vendim për maska edhe më herët mirëpo tash mund të dënohen për mosmbajtjen e maskave edhe në ambientet e mbyllura edhe mbajtja e maskave në ambientet e hapura është bërë e obligueshme në ato raste kur nuk ka mundësi që të mbahet distanca sociale. Presheva është në situatë jashtëzakonshme dhe është një ndër komunat e pakta që ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve gjatë këtij muaji”, theksoi Salihu.

Në anën tjetër, Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ka thënë për lajmi.net, se Presheva dhe Bujanoci janë duke kaluar në një situatë të tmerrshme sa i përket pandemisë COVID-19.

Ai thotë se e gjithë kjo situata ka ardhur edhe si pasojë e mosbesimit që shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë në autoritetet serbe, përkatësisht në sistemin e shëndetësisë, pavarësisht që siç theksoi ai, banorët paguajnë taksë dhe kanë sigurime shëndetësore.

Siç theksoi Mustafa, shumë banorë të Luginës së Preshevës po trajtohen edhe në Kosovë për shkak të frikës së tyre për t’u trajtuar në spitalet e Serbisë.

“Ne si Këshill nuk kemi ndonjë numër të saktë, mirëpo ajo çka dihet është se tashmë është bërë një kaos në Preshevë dhe Bujanoc sa i përket përhapjes së infeksionit me COVID-19. Një gjendje e tmerrshme sepse ka marrë përmasa të mëdha të shtrirjes së këtij virusi i cili ka prekur një numër shumë të madh të qytetarëve e disa fatkeqësisht po përfundojnë me fatalitet. Ashtu si në të kaluarën ne si Këshill Kombëtar Shqiptar kemi bërë kërkesa edhe ndaj ministrive të caktuara dhe jemi në kontakt edhe me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, ku ka një iniciativë të mirë për të krijuar sa më shumë teste në mënyrë që të gjurmohen dhe të lokalizohen sa më shpejt të gjithë të infektuarit. Por shihe, shqiptarët e Luginës së Preshevës ende kanë frikë se nuk do të marrin trajtimin e nevojshëm në Spitalin e Vranjës sa i përket komunës së Preshevës dhe Bujanocit për shumë arsye. E para, një nga arsyet është sepse edhe pse shqiptarët e Luginës së Preshevës janë mbi 30 për qind të popullsisë së përgjithshme në këtë pjesë, në Spitalin Rajonal të Vranjës nuk ka të punësuar as edhe një shqiptar. Duke e pas parasysh këtë fakt dhe duke qenë nga një e kaluar, sigurisht një numër i madh i shqiptarëve janë duke u trajtuar nëpër shtëpi dhe një numër tjetër është duke kërkuar edhe ndihmë edhe në institucionet e Republikës së Kosovës, në Gjilan e Prishtinës, por sigurisht ka edhe një numër i qytetarëve shqiptarë që është duke u trajtuar në Vranjë dhe në Nish. Gjendja është më se alarmante sa i përket përhapjes së koronavirusit, shoh që Shtabet e Krizave edhe në Bujanoc edhe në Preshevës kanë ndërmarrë masat e parapara sa i përket parandalimit së përhapjes të koronavirusit megjithatë edhe kësaj radhe i bëj ftesë që të gjithë qytetarët t’iu përmbahen të gjitha instruksioneve të dala nga ekspertët mjekësor”, theksoi Mustafa për lajmi.net.

Sipas Mustafës, shqetësues mbetet fakti që shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk e kanë spitalin e tyre dhe mosmarrja e shërbimeve shëndetësore ashtu siç duhet, pavarësisht se paguajnë taksë për sigurimin shëndetësor. Ai po ashtu bëri kërkesë tek autoritetet kosovare që t’i dalin me ndihmë rreth testimeve.

“Ajo që për mua është shqetësuese është se shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe pas kërkesës për mbrojtje shëndetësore sekondare që quhet në Serbi, përkatësisht mbrojtjes shëndetësore spitalore, edhe pas kërkesës që ka qenë nga plani shtatë pikësh i viti 2013, ende nuk kanë arritur që të realizojnë që të ndërtojnë një institucion i cili bën trajtimin e rasteve virale, përkatësisht i rasteve të kësaj natyre apo edhe rasteve të tjera siç bëjnë institucionet e specializuara. Pra edhe më tej shteti nuk i ka krijuar kushtet e mjaftueshme që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë mbrojtje sekondare shëndetësore, por njëkohësisht të rënduar për shqiptarët e Luginës së Preshevës, bëj ftesë që të gjithë t’iu dalin në ndihmë. Më duhet edhe një herë ta ritheksoj një çështje, shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë sigurimet shëndetësore, do me thënë çdo qytetar i Preshevës dhe Bujanocit paguan taksa ndaj shtetit për të siguruar shëndetin e tyre, sigurinë e shëndetit të tyre dhe për t’i ofruar shërbimet e nevojshme për mbrojtje shëndetësore. Deri më tash kjo është në nivele shumë të ulëta. Më duhet të theksoj se ministri Armend Zemaj, ka bërë një punë shumë të mirë në ofrimin e specializimeve për kandidat nga Lugina e Preshevës, po shpresojmë që ka më shumë nevojë për teste, për të gjurmuar rastet dhe për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të virusit. Ajo që tash për tash, për çdo ditë kemi raste që po përfundojnë me fatalitet me numër të madh dhe kemi raste që po përfundojnë për çdo ditë në trajtime spitalore sa i përket koronavirusit”, theksoi Mustafa.

Exit mobile version