Spanja dënoi sulmet e fundit izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së në Liban, duke i quajtur ato “të papranueshme” dhe duke paralajmëruar për një përshkallëzim serioz, transmeton Anadolu.
“Sulmi i fundit rrezikoi sërish sigurinë fizike të kontingjentit spanjoll, në një seri veprimesh që përfaqësojnë një përshkallëzim serioz ndaj personelit dhe infrastrukturës së Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL)”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Spanjës.
Reagimi vjen pas një raportimi të UNIFIL-it, i cili tha se tanket izraelite hynë në territorin libanez të hënën. Pas kërkesës së paqeruajtësve për të ndaluar aktivitetin e tyre, një nga tanket qëlloi me predhë.
Predha ra rreth 150 metra larg një pozicioni të UNIFIL-it që përfshinte trupa spanjolle.
“Ndërsa paqeruajtësit u larguan për siguri, ata u ndoqën vazhdimisht me lazer nga tanket”, tha UNIFIL-i. “Tanket u tërhoqën rreth gjysmë ore më vonë. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua”, tha misioni.
Madridi i bëri thirrje Izraelit të respektojë paqeruajtësit e OKB-së dhe të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar.
“Spanja përsërit angazhimin e saj për sovranitetin, integritetin territorial dhe stabilitetin e Libanit”, thuhet në deklaratë, ndërsa riafirmohet mbështetja për punën e UNIFIL-it, të cilën Spanja e përshkroi si thelbësore për arritjen e këtyre qëllimeve.
Të hënën, UNIFIL-i paralajmëroi se sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve qartësisht të identifikueshëm “po bëhen në mënyrë shqetësuese të shpeshta” dhe përbëjnë “shkelje serioze” të një rezolute të OKB-së të vitit 2006.
