Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Spanja mbështet përfshirjen e Gardës Revolucionare të Iranit në listën e grupeve...

Spanja mbështet përfshirjen e Gardës Revolucionare të Iranit në listën e grupeve terroriste nga BE-ja

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares deklaroi se vendi i tij mbështet përfshirjen e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste të Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se Madridi mbështet të gjitha sanksionet kundër Teheranit në përgjigje të shtypjes brenda vendit, transmeton Anadolu.

Duke folur para një takimi të Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel, Albares tha se qëndrimi i Spanjës është i qëndrueshëm dhe i padiskutueshëm. “Spanja mbështet të gjitha sanksionet ndaj Iranit në këtë moment”, tha ai duke shtuar se kjo përfshinë “sigurisht ato që i referohen përfshirjes në listën e grupeve terroriste të Gardës Revolucionare”.

Shefi i diplomacisë spanjolle argumentoi se ka mbetur pak për të vlerësuar duke marrë parasysh situatën brenda Iranit. “Kur shohim situatën në Iran, kur shohim një shtypje të verbër dhe pa dallim, ndalime arbitrare, një situatë për gratë iraniane që na shqetëson tmerrësisht”, tha ai duke theksuar se është “përgjegjësi dhe detyrim” i BE-së të veprojë.

Albares tha se Spanja që nga fillimi ka kërkuar respekt për “lirinë e shprehjes dhe lirinë e demonstrimit paqësor të të gjithë iranianëve” si dhe lavdëroi “guximin e madh” të atyre që protestojnë. Ai tha se ndalimet arbitrare duhet të marrin fund dhe paralajmëroi se “çdo ekzekutim do të ishte vijë e kuqe autentike për Spanjën dhe Evropën”.

Exit mobile version