Spanja regjistroi rekord të vetëvrasjeve vitin e kaluar

Vitin e kaluar, 3.941 persona në Spanjë i dhanë fund jetës duke u vetëvrarë, me çka vendi regjistroi numrin më të lartë të vetëvrasjeve në një vit në historinë e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të publikuar nga Fondacioni Spanjoll për Parandalimin e Vetëvrasjeve, 3.941 persona kanë kryer vetëvrasje në vitin 2020, që paraqet një rritje prej 7,4 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në raportin e përgatitur sipas të dhënave vjetore të vdekjeve të Institutit Spanjoll të Statistikave, thuhet se mesatarisht 11 persona kanë kryer vetëvrasje në dit vitin e kaluar, nga të cilët 74 për qind (2.930) ishin meshkuj dhe 26 për qind (1.011) femra.

Në raport theksohet se vetëvrasja është shkaku më i shpeshtë i vdekjes pas rasteve me tumor tek të rinjtë e moshës 15-29 vjeç dhe se numri i grave që humbën jetën si pasojë e vetëvrasjes për herë të parë kaloi shifrën prej një mijë personash.

Siç thuhet më tej, një nga arsyet e rritjes së vetëvrasjeve kanë qenë çrregullimet mendore të shkaktuara nga problemet sociale dhe ekonomike që kanë rezultuar nga pandemia e koronavirusit (COVID-19). /aa