Spanjë, vazhdon kërkimi për personat e zhdukur pas stuhisë shkatërruese që vr’au të paktën 158 persona

Përpjekjet e kërkim-shpëtimit në Spanjë po vazhdojnë pasi një stuhi e paprecedentë mori jetën e të paktën 158 personave, si dhe shkaktoi një shkatërrim të gjerë, raporton Anadolu.

Sipas autoriteteve, të paktën 155 persona humbën jetën në Valencia, rajoni më i goditur nga përmbytjet, por vdekje janë raportuar edhe në provincat Cuenca, Albacete dhe Malaga.

Më herët gjatë ditës, ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, tha se autoritetet ende nuk mund të ofrojnë një numër të saktë të jetëve të humbura, por theksoi se “shume njerëz” mbeten të zhdukur.

Rreth 1 mijë ushtarë u vendosën në zonat e goditura dhe prioriteti i tyre kryesor është gjetja e të zhdukurve.

“Ne e dimë se në vende si Paiporta dhe Massanassa mund të ketë njerëz në garazhe, në bodrume, njerëz që dolën jashtë për të gjetur automjetet e tyre”, tha Robles në një intervistë me transmetuesin ‘Telecinco’.

Stuhia më rëndë goditi të martën, kur shiu i pothuajse një viti ra brenda vetëm disa orëve, duke shkaktuar përmbytje të shpejta dhe vërshime të lumenjve nëpër rrugë qytetesh.

Intensiteti i stuhisë kapi mijëra njerëz në befasi, shumica e të cilëve ktheheshin nga puna dhe u bllokuan në automjete. Të tjerët u bllokuan në shtëpitë e tyre, vendet e punës, restorante apo qendra tregtare, duke pritur me dëshpërim shpëtimin derisa ujërat rriteshin.

Mbrëmjen e të martës, Qeveria e Valencias lëshoi një alarm urgjent në telefonat e banorëve, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë brenda ose të kërkojnë terrene të larta, kur shumica e dëmeve tashmë ishin bërë.

“Alarmi ra kur uji kaloi mbi belin tim”, tha Joan San Saloni, një banor në qytetin Paiporta.

“Po të kishte ardhur më herët, duke thënë mos dilni nga shtëpia, njerëzit nuk do të kishin shkuar për të marrë makinat e tyre. Po ta dinim, nuk do të kishte kaq shumë vdekje”, shtoi ai.

Shërbimet e urgjencës u pushtuan shpejt nga vëllimi i thirrjeve dhe ishte e pamundur të arrijnë në zonat më të goditura. Saloni shpjegoi se derisa njerëzit thërrisnin për ndihmë në qytet, ai me orë të tëra po telefononte shërbimet e urgjencës, por ishte e padobishme.

Dëmtimi i infrastrukturës

Përveç tragjedisë njerëzore, gjithashtu përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.

Mijëra familje akoma nuk kanë lidhje të energjisë elektrike apo ujit të pijshëm. Ata gjithashtu janë plotësisht të izoluar për shkak të mbylljes së rrugëve dhe hekurudhave.

Në një konferencë për media, ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, tha se linja popullore hekurudhore e shpejtësisë së lartë midis Madridit dhe Valencias do të mbyllet për të paktën dy deri në tre javë. Ai theksoi se dy tunele nën të cilët kalon ajo linjë janë dëmtuar rëndë dhe punëtorët do të duhet të ri- instalojnë plotësisht linjën hekurudhore.

Disa linja hekurudhore lokale janë në gjendje edhe më të keqe, për të cilat ministri spanjoll vlerëson se do të duhen “shumë muaj” për t’u riparuar.

Ndërkohë, rreth 80 kilometra autostradë në Valencia është dëmtuar rëndë. Puento tha se “Grumbullat e makinave” vazhdojnë të jenë të rreshtuara rrugëve që janë kyçe për lidhjen e zonës.

Drejtimi i gishtit në aspektit politik gjithashtu ka filluar për një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda në historinë e Spanjës.

Lideri i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, mbajti një konferencë për media me liderin konservator të Valencias, duke theksuar se pavarësisht se qeveria rajonale ishte përgjegjëse për lëshimin e alarmit, ajo po vepronte sipas informacionit të dhënë nga agjencitë e qeverisë qendrore.

Megjithatë, agjencia meteorologjike spanjolle (AEMET) të martën në mëngjes lëshoi një paralajmërim të kuq për “rrezik ekstrem”, rreth 12 orë para se qeveria lokale të lëshojë paralajmërimin në telefonat celular.

Stuhia vazhdon

Intensiteti i stuhisë historike ka rënë, por vazhdon të përmbyt disa pjesë të Spanjës.

“Ju lutemi, stuhia vazhdon. Ju lutemi, ndiqni rekomandimet e shërbimeve të urgjencës. Tani për tani, gjëja më e rëndësishme është shpëtimi i jetëve”, tha kryeministri Pedro Sanchez në një fjalim nga Valencia.

Më shumë përmbytje ndodhën në provincën Castellon sot, e cila u vu në alarm të kuq për reshje të dendura të shiut. Po ashtu edhe Katalonja ka aktivizuar alarmet e kuqe për zonat në jug të rajonit.

Dje, përmbytje të shpejta u regjistruan edhe në zona të tjera të vendit si Andaluzia jugore, në të cilën ende ka reshje shiu.

Spanja ka shpallur tre ditë zie kombëtare.

Selia e Bashkimit Evropian (BE) sot uli flamujt në gjysmështizë.

“Përmbytjet në Spanjë nuk janë vetëm një tragjedi kombëtare. Është gjithashtu tragjedi evropiane. Si e tillë, ajo do të marrë një përgjigje evropiane”, tha në rrjetet sociale Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.