Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Spiropali: Shqipëria ka zgjedhur rrugën e anëtarësimin në BE dhe një rol...

Spiropali: Shqipëria ka zgjedhur rrugën e anëtarësimin në BE dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka deklaruar se Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon, raporton Anadolu.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua për projektligjin “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, ku gjatë seancës mbajti një fjalë edhe ministrja Spiropali.

Ministrja Spiropali e cilësoi ligjin në fjalë një instrument për ta ngritur shërbimin e jashtëm në lartësinë e ambicieve kombëtare dhe sipas saj synon të bëjë një reformim të thellë në shërbimin e jashtëm.

“Ky ligj nuk është vetëm për Ministrinë e Jashtme. Është për rolin e Shqipërisë në botë. Është për besueshmërinë tonë si shtet. Është për të ardhmen evropiane të vendit. Koha e një shërbimi të jashtëm të ri shqiptar ka filluar”, tha Spiropali.

Spiropali u ndal në risitë e ligjit të ri, që kanë në fokus sipas saj, ndër të tjera, fuqizimin e meritokracisë, por edhe statusin e diplomatëve shqiptarë.

“Sot jetojmë në një botë më të pasigurt se ajo që njihnim vetëm pak vite më parë. Lufta është rikthyer në kontinentin evropian. Tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të riformatojnë ekuilibrat globalë. Në këtë realitet të ri, shtetet nuk gjykohen më vetëm nga madhësia e tyre, por nga qartësia e orientimit të tyre, nga besueshmëria si partnerë dhe nga aftësia për të marrë përgjegjësi. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon”, theksoi Spiropali.

Sipas autoriteteve shqiptare, qëllimi i këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë së shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, periudha gati dhjetëvjeçare që nga miratimi i ligjit në fuqi për shërbimin e jashtëm, ka bërë të domosdoshëm rishikimin edhe të këtij akti me synim për ta përshtatur me sfidat e reja, me të cilat përballet politika e jashtme e shtetit shqiptar.

Pas diskutimeve të deputetëve projektligji do të miratohet në seancë plenare.

Exit mobile version